Fyle sot me propozimin e fundit për Shkupin

Burime jozyrtare nga Brukseli kanë theksuar se evrokomisioneri Shtefan Fyle pritet të shprehë një qëndrim pragmatik dhe formulën për tejkalimin e krizës politike në Maqedoni.
Evrokomisioneri për zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle pritet që sot të dal me porosi të re dhe propozim për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, transmeton INA.
Peter Stano, zëdhënësi i evrokomisionerit Fyle ka paralajmëruar se Fyle do të shprehë qëndrimin e tij të ri lidhur me krizën politike në Maqedoni dhe pas qëndrimit final të opozitës maqedonase për të bojkotuar zgjedhjet lokale të 24 marsit.
Stano i pyetur nga gazetarët se çfarë do të propozojë evrokomisioneri Fyle, ai është shprehur se “të presim ditën e sotme”.
Burime jozyrtare nga Brukseli kanë theksuar se Fyle pritet të shprehë një qëndrim pragmatik që do të jetë në formë të një propozimi për tejkalimin e krizës politike.
Evrokomisioneri Fyle javën e kaluar anuloi vizitën e tij Shkup, pas dështimit të marrëveshjes politike midis pozitës dhe opozitës maqedonase dhe vendimit të opozitës për të bojkotuar zgjedhjet. Fyle javën e kaluar në deklaratën e tij ka theksuar se ndjehet i frustruar nga mungesa e përparimit të procesit politik në Maqedoni.
Ai apeloi se është nevojë e liderëve politik në Shkup të marrin përgjegjësitë dhe të gjejnë zgjidhje për tejkalimin e krizës politike. (INA)