Beogradit i ngutet më shumë se Prishtinës

Shumica e ekspertëve dhe analistëve në Serbi pajtohen se negociatat lidhur me strukturat paralele në veri të Kosovës, të cilat ata i quajnë “institucione të Serbisë”, do të jenë shumë të vështira, prandaj nuk presin që këto negociata të rezultojnë me një marrëveshje të shpejtë.
Analisti Ognjen Pribiçeviq ka thënë se është joreale të pritet një marrëveshje e shpejtë lidhur me këto çështje.
“Strukturat e sigurisë dhe të drejtësisë janë dy çështjet thelbësore. Për këtë arsye, është e pamundur të parashikohet epilogu i negociatave”, ka deklaruar ai për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”.
Pribiçeviq ka thënë se arritjen e një marrëveshje të shpejtë midis Prishtinës e Beogradit e bëjnë edhe më të vështirë zhvillimet aktuale në skenën politike të Serbisë.
Shumica e analistëve serbë janë të një mendiumi edhe sa i përket dinamikës së negociatave. Predrag Simiq, profesor i shkencave politike, ka deklaruar se Beogradit i ngutet më shumë se sa Prishtinës për arritjen e një marëveshjeje.
Ai ka thënë se Beogradi do të jetë në presion të kohës, për shkak se, pas një muaji e gjysmë, Bashkimi Evropian do të publikojë Raportin e Progresit për Serbinë, nga i cili varet caktimi i datës së fillimit të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE.
Edhe Ognjen Pribiçeviq pajtohet se Serbia është në zgrips të kohës, për shkak të presionit të vazhdueshëm të Brukselit, të cilin e konsideron se mjet presioni ndaj Beogradit, transmeton qik.
“Natyrisht, kjo shfrytëzohet për sigurimin e sa më shumë koncesioneve nga Serbia”, ka thënë Pribiçeviq.
Sociologu Dushan Janjiq është pothuaj i vetmuar në vlerësimin e dinamikës së negociatave midis Prishtinës e Beogradit.
Ai ka thënë se negociatat “po zhvillohen befasisht shpejt”, por ka tërhequr vërejtjen se kjo “nguti” mund të shoqërohet me “probleme të paparashikuara në terren”./Indeksonline/