Fyle takon Bregun:Me rëndësi,vazhdimi i dialogut
BRUKSEL- Komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Stefan Fyle është takuar sot me Ministren e Integrimit, Majlinda Bregu. Ata diskutuan mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri, rreth procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Komisioneri Fyle ka përshëndetur miratimin së fundi nga qeveria dhe opozita të Planit të Veprimit, nëpërmjet të cilit adresohen 12 rekomandimet e Komisionit për Shqipërinë.
Plani i Veprimit është një bazë e mirë për kryerjen e reformave kyçe të kërkuara nga Komisioni. Shqipëria duhet të përdorë plotësisht kapacitetet e saj në mënyrë që të lëvizë përpara me reformat për sa i përket kritereve politike, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, tha Fyle.
“Unë jam i sigurtë se Shqipëria nuk do të humbasë më kohë dhe do të shkojë përpara me të gjitha veprimet e nevojshme, në mënyrë që të arrihet sa më shumë progres në të gjitha fushat. Këto arritje duhet të përfshijnë edhe rezultatet konkrete në reformën zgjedhore dhe atë parlamentare.- ka thënë Fyle.
Komisioneri ka vënë theksin në mënyrë të veçantë tek rëndësia e vazhdimit te dialogut dhe bashkëpunimit konstruktiv midis qeverisë dhe opozitës, ndërsa ka kërkuar që reformat të jenë gjithëpërfshirëse.
Komisioni është i gatshëm të vazhdojë të japë mbështetje dhe udhëzime të nevojshme për këtë përpjekje të rëndësishme kombëtare, e cila është edhe më e rëndësishme, në një kohë kur i gjithë rajoni është duke ecur përpara “, theksoi Komisioneri Fyle gjatë takimit me Bregun.
Nga ana e saj, ministrja Bregu u shpreh: “Plani i Veprimit, të cilin e kemi dorëzuar pranë Komisioit Europian, është vlerësuar jo vetëm si një dokument pune i mirë, por edhe për faktin se gjatë rishikimit të tij është përmbushur ose plotësuar një nga sugjerimet edhe të Komisionerit Fyle, që është gjithëpërfshirja. Ky është lajm i mirë, motivues, që na jep mundësi të gjithëve që këtë frymë të bashkëpunimit të vendosur në nëntor mes forcave politike, ta përkthejmë në rezultate konkrete.”
E rëndësishme është që në këtë proces, ne të kemi mbështetjen e Komisionit Europian, tha Bregu, duke shtuar se, do të duhet që të rilançojmë një proces ku të shpjegojmë këtë atmosferë bashkëpunimi për vendet anëtare, sepse i kemi bërë dëm vetes për dy vjet me politikën e bojkotit, më shumë sesa kushdo tjetër, mund ti kishte bërë dëm Shqipërisë.