Olldashi dhe PS, replika për gjendjen e rrugëve
TIRANË- Partia Socialiste dhe ministri i Transportit, Sokol Olldashi kanë debatuar sot në distancë lidhur me gjendjen e rrugëve në vendin tonë. Menjëherë pas deklaratave të ministrit të Transportit, Sokol Olldashi ka reaguar përfaqësuesi i PS-së, Artan Lame.
Lame hodhi poshtë disa nga statistikat e prezantuara nga Olldashi, duke thënë se, në prezantimin e tij ministri përfshiu edhe rrugët që janë bërë gjatë vitit 2005-2009 dhe 2005-2007, të cilat kanë qenë të kontraktuara nga qeveria socialiste. Në këto vite, tha Lame, shumica e rrugëve janë nisur nga qeverisja socialiste.
Ai akuzoi Olldashin se foli me numra dhe jo me kilometra për rrugët e financuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndërsa shtoi se, për rrugët nuk flitet me numra por me kilometra.
Sa i përket autostradave, duke iu referuar kilometrave që bëri më herët me dije ministri Olldashi, Lame tha se, në Shqipëri nuk ka asnjë autostradë.
Rrugët në Shqipëri nuk i përmbushin kriteret e autostradës. Madje ato që përmendi Olldashi as superstrada nuk mund të quhen. Kanë 1 ose 2 elementë të superstradës, po jo të tjerat.- theksoi Lame.
Sa i përket Strategjive, Lame u shpreh se Shqipëria ska vuajtur asnjëherë për strategji, janë financuar nga të huajt. Janë më dhjetra, por sipas tij nuk zbatohen.
Me cilën strategji përputhet rritja e aksidenteve, apo fakti që ende nuk ka një inventar të saktë të rrjetit rrugor, iu drejtua Lame, Olldashit.
Ai tha se në harkun kohor të dy viteve, 2010- 2012 numri i aksidenteve është rritur ndjeshëm. Lame shtoi gjithashtu se, qeveria nuk ka bërë asgjë për të përmirësuar situatën në ato vende që quhen edhe si njollat e zezë, ku në mënyrë të vazhdueshme ndodhin aksidente me humbje jete.
Ai përmendi dy prej tyre, “Kryqëzimi i Shoferit”, në rrugën e Fierit dhe rrugën Levan- Tepelenë, e cila ende nuk është inauguruar.
‘Rama, mashtrim politik. Janë bërë 9103 km rrugë’
Më heret, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi reaguoi pas akuzave të një dite më parë të kreut të opozitës, Edi Rama për mungesën e një plani kombëtar për transportin.
Gjatë një konference për shtyp, me shifra e dokumente Olldashi ka ilustruar krejt të kundërtën e asaj që ka thënë Rama për shpërdorim fondesh dhe abuzim me shifrat për rrugët e ndërtuara.
Nuk flasin për rrugët se dinë për rrugët, flasin për rrugët se janë rrugacë politikë. Në 2005 është e vërtetë se e lanë vendin pa plan, por në 10 maj 2006 qeveria Berisha ka miratuar planin kombëtar të transportit. Me financim të KE, informacion minimal që lideri i opozitës duhet ta kishte. Në nëntor 2011 kemi bënë me VKM përditësimin e planit kombëtar në një kuadër 5 vjecar- tha Olldashi.
Sipas tij, janë investuar 276 miliardë lekë të reja përmes DPRR në infrastrukturën rrugore, 2,2 mld euro në progres, pra mbi 4 miliardë euro që janë investuar apo po investohen.
Kryeministri ka dhënë shifër të pasaktë, ka thënë 9 mijë km, në fakt janë 9103 km që qeveria e këtij vendi ka bërë rrugë në territorin e Shqipërisë. Shifër që Rama nuk mund ti pjesëtojë as me dhjetë e as me dymbëdhjetë- tha ai.