Fyle viziton Shkupin, në mision për krizën qeveritare

Eurokomisioneri për zgjerim në Bashkimin Evropian, Stefan Fyle të hënën pritet të mbërrijë në Shkup në një mision të tij për të zgjidhur krizën qeveritare në Maqedoni.
Fyle i cili vjen për të vlerësuar dialogun mes Maqedonisë dhe BE-së lidhur me përmbushjen e detyrimeve dhe reformave, në qendër të agjendës së tij do të ketë zhvillimet dhe krizën brenda koalicionit qeveritar midis VMRO-DPMNE dhe BDI.
Nga zyra e Bashkimit Evropian në Shkup nuk kanë informuar lidhur me detajet e agjendës së Fyles, ndërsa jozyrtarisht mësohet nga burime qeveritare se eurokomisioneri për zgjerim do të diskutojë për evitimin e krizës politike dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni, që do të paralizonin vendin dhe do të thellonin krizën social-ekonomike. Gjithashtu mësohet se evrokomisioneri Fyle do të dëgjojë propozimet për projektligjin për pjesëtarët e forcave maqedonase të sigurisë dhe kërkesat e partive shqiptare për zgjidhjen e statusit të UÇK-së.
Vizita e eurokomisionerit Fyle vjen vetëm një muaj para shpalljes së raport progresit për Maqedoninë nga Komisioni Evropian.