E Diel, 1 Nëntor 2026

Analiza, rriten eksportet dhe të ardhurat nga dogana

03/06/2010 Shifrat

Eksportet shqiptare në 5 muajt e parë të vitit 2010 janë rritur me 161.4 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Drejtoria e përgjithshme e Doganave, ka publikuar sot të dhënat për ecurinë e eksporteve dhe të ardhurat nga doganat deri në fund të muajit maj. Nga këto të dhëna rezulton se eksportet shqiptare për këtë periudhë, kanë arritur vlerën e 30.3 miliardë lekëve. Ndërkohë, segmenti i eksporteve nga përpunimi aktiv gjithashtu është rritur me 32 për qind dhe ka arritur vlerën e 35 miliardë lekëve, në pesë muajt e parë të vitit. Ndërkohë edhe Rieksportet nga Përpunimi Aktiv gjatë muajit maj 2010 kanë shënuar gjithashtu rritje në sasi e vlerë krahasuar me muajin maj 2009. Gjatë këtij muaji është regjistruar volumi i rieksporteve nga përpunimi aktiv e shprehur në sasi në 25,3 mijë ton nga 14,9 mijë ton të regjistruar me të njëjtën periudhë të një viti më parë me një rritje prej 10,4 mijë ton ose 69.6 për qind më shumë. Ndërsa si vlerë të rieksporteve nga përpunimi aktiv gjatë muajit maj është realizuar një volum në vlerën prej 7.2 mld lekë me një rritje prej 1,9 mld lekë ose 36 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009, ku u realizua një vlerë prej 5.3 mld lekë eksporte. Ndërkohë, Drejtoria e përgjithshme e Doganave nuk ka publikuar asnjë statistikë, për sa i takon ecurisë së importeve në të njëjtën periudhë. Sipas të njëjtit burim, të ardhurat nga doganat për pesë muajt e parë të vitit janë rritur me 14.8 për qind dhe kanë arritur afërsisht vlerën e 44.9 miliardë lekëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›