E Shtunë, 31 Tetor 2026

OPEC-u mban të pandryshuar sasinë e prodhimit

Ministrat e industrisë së naftës nga 12 vendet e OPEC-ut, në takimin e djeshëm në Vjenë të Austrisë, vendosën të mbajnë sasitë e prodhimit në nivelet aktuale. Disa prej ministrave bënë presion për pakësim të mëtejshëm të volumit të prodhimit, por të tjerët kërkuan konsolidimin e të ardhurave, duke u bazuar te pakësimet e mëparshme përpara se të shqyrtohej mundësia për zvogëlim të ri të sasive të prodhimit.

Ndërkohë që kërkesa për naftë pritet të zvogëlohet gjatë vitit në vazhdim, vendet e OPEC-ut kanë ndërmend të shmangin një ulje tjetër të çmimit. Çmimi i naftës gjatë vitit 2009 është luhatur te mesatarja 40 dollarë për fuçi, ndërkohë që çmimi mesatar i vitit të shkuar ishte rreth 100 dollarë.

Ministrat e vendeve të OPEC-ut, ku bëjnë pjesë Algjeria, Angola, Ekuadori, Irani, Iraku, Kuvajti, Libia, Nigeria, Katari, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Venezuela, vërejtën që duhej kërkuar respektimi më i plotë i pakësimeve të mëparshme të prodhimit. Një takim tjetër do të mbahet më 28 maj për të shqyrtuar nëse do të jetë e nevojshme ndërmarrja e zvogëlimeve të mëtejshme të volumeve të prodhimit.

Algjeria, Venezuela dhe Katari thanë gjatë takimit se sasitë e tyre të prodhimit duheshin pakësuar edhe më tej. Çmimi i naftës, nga 147 dollarë për fuçi në korrikun e vitit të shkuar, është ulur drastikisht në masën 46 dollarë, në një çast kur kriza globale ka ulur ndjeshëm kërkesën për arin e zi në të gjithë botën.

Rusia, e cila matet me Arabinë Saudite për statusin e prodhuesit më të madh të naftës në rang botëror, dërgoi zëvendëskryeministrin Igor Seçin në Vjenë, për të vëzhguar nga afër zhvillimet e ministrave të vendeve të OPEC-ut. Seçin bëri me dije këto ditë se Rusia po shqyrtonte procedurat që duhen ndjekur për të bërë të mundur dërgimin e një observuesi të përhershëm në OPEC. Gjithsesi nuk la të kuptohej se shteti i tij kishte ndërmend t‘i bashkohej kësaj organizate.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›