G20 premton rritje dhe punesim

Në dokumentin final të G20 në Los Cabos të Meksikës thuhet se liderët kanë kërkuar të promovojnë rritjen dhe krijimin e vendeve të punës. Të mëdhenjtë e 20 vendeve më të mëdha të botës në fakt kanë planifikuar një program global për krijimin e vendeve të reja të punës, që mbetet si objektivi kryesor për të përballuar efektet e krizës ekonomike europiane. Punësim të krijuar edhe përmes shpenzimeve publike, një ide kjo gjithnjë e kundërshtuar nga Gjermania. Balanca spostohet kështu nga masat shtrënguese tek shpenzimet dhe ky plan i samitit të G20 duket si një shuplakë politike ndaj kancelares Merkel e cila i mëshon vetëm planit të kursimeve për daljen nga kriza.
Por ky samit ka shënuar një zhvillim pozitiv përsa i përket objektivit për shtimin e fondeve antikrizë me 456 miliardë dollarë të FMN për tu përdorur si një fond mbrojtës për Europën. Në fakt janë përcaktuar kuotat e pjesëmarrjes me përfshirjen edhe të vendeve emergjente apo të ashtuquajturave BRICS, ku deri më tani përfshirja e tyre kishte mbetur vetëm në letër. Konkretisht India dhe Rusia kanë dhënë për fondin nga 10 miliardë dollarë secila, ndërsa Kina kontribuon me 43 miliardë dollarë për shtimin e burimeve antikrizë. 15 miliardë do të vijnë nga Arabia Saudite, Korea e Jugut dhe Britania e Madhe. Ndërkohë që vet Eurozona do të kontribuojë me 150 miliardë dollarë.
Për kreun e FMN Lagarde, këto fonde do të përdoren si një linjë e dytë mbrojtëse për zgjidhjen dhe parandalimin e krizave financiare. Shtimi dyfishon aftësitë e huadhënies së FMN. Gjithashtu G20 është angazhuar të kryej reforma e të drejtës së votës së FMN. Me këtë garantohet më shumë përfaqësim dhe më shumë fuqi brenda FMN-së për ekonomitë emergjente.
G20 ka vlerësuar pozitivisht edhe lëvizjet e Kinës për të reformuar sistemin e vet valutor duke ritheksuar se normat e këmbimit duhet të përcaktohen nga tregu dhe të reflektojnë bazat e ekonomisë. Sipas burimeve nga Shtëpia e Bardhë thuhet se nuk u komunikua qartë nëse do të ketë një takim të ngushtë mes presidentit Obama dhe liderëve europianë Merkel, Monti, Hollande dhe presidentëve të komisioneve të BE, Barroso dhe Rompuy. Flitet se anulimi i këtij takimi është bërë për shkak të tensioneve mes krerëve të shteteve dhe qeverive për cështjet e zgjidhjes së krizës në Eurozonë. Ndërsa nga Gjermania thuhet se ka qenë pikërisht Angela Merkel që ka kërkuar shtyrjen e takimit, pasi sipas saj cështjet janë konsumuar gjatë një takimi përpara darkës së G20 me presidentin Obama.