E Shtunë, 31 Tetor 2026

G20, takim për rimëkëmbje

Udhëheqësit e 20 ekonomive më të rëndësishme të botës mblidhen në Toronto, më 26 dhe 27 qershor, për të shqyrtuar rrugët për përshpejtimin e rimëkëmbjes së ekonomisë globale. Temat më delikate mbi të cilat do të diskutojnë krerët e shteteve dhe zyrtarët më të lartë të financave, përfshijnë monedhën, tregtinë dhe deficitin buxhetor.

Ata do të analizojnë gjithashtu krizën evropiane të borxheve dhe pritet të diskutojnë rreth shtimit të rregullave për firmat financiare, rreth taksave, bankave dhe për çështje të tjera.

Udhëheqësit që mblidhen në Toronto drejtojnë vende që sigurojnë 90 për qind të prodhimit ekonomik, 80 për qind të tregtisë botërore dhe ku jetojnë dy të tretat e popullsisë së botës. Kriza financiare globale bëri të qartë nevojën për rrugë më efikase që të rregullohen firmat financiare, por nuk janë përcaktuar ende mënyrat.

Disa ministra financash po u bëjnë thirrje bankave që të pakësojnë kreditë që japin dhe të mbajnë më shumë kapital në dispozicion në rast se një hua ose investim del pa sukses.

Ide të tjera përfshijnë uljen e huas që bankat marrin për të investuar dhe gjetjen e mënyrave për të përballuar problemin e kompanive financiare të dështuara, duke minimizuar dëmin ndaj pjesës tjetër të ekonomisë. Hoze Vinals i Fondit Monetar Ndërkombëtar pret që në takim udhëheqësit të vendosin nëse do të vënë taksa për bankat në mënyrë që të mbulojnë koston e problemeve të ardhshme financiare. Por ai thotë se ata nuk do të marrin vendime për çështje të tjera.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›