E Shtunë, 31 Tetor 2026

G8, liderët dështojnë në premtimet për ndihma

“Lakuriq” para së vërtetës së hidhur, vendet e grupit injorojnë fjalën e dhënë pesë vjet më parë

Takimi i vendeve më të industrializuara që po zhvillohet nën masa të mëdha sigurie dhe njëherazi të shtrenjta në Kanada ka marrë në shqyrtim shumë çështje, por për një gjë do të mbahet mend gjatë. Bëhet fjalë për një zotim të rëndësishëm, të pambajtur nga vendet pjesëmarrëse: dështimin në dhënien e ndihmave të premtuara gjatë takimit të pesë viteve më parë në Gleneagles. Liderët që janë vendosur në një resort në veri të Torontos, agjencitë e ndihmave dhe ekonomistë të ndryshëm shprehën keqardhjen e madhe për mospërmbushjen e një premtimi të madh dhe mosdhënien e 18 miliardë dollarëve ndihma të premtuara në takimin e tyre të radhës së pesë viteve më parë në Skoci. Kryeministri i Kanadasë, i cili çeli takimin, bëri thirrje për një përgjegjshmëri më të madhe të vendeve pjesëmarrëse ndaj premtimeve të bëra në takimet pararendëse, ndërkohë që Franca dhe Gjermania kanë refuzuar të shtojnë buxhetet e ndihmave. Këtyre u është bashkuar edhe Italia. Vetëm Britania e Madhe ka vepruar ndryshe, duke qenë e vetmja që e ka shtuar këtë buxhet me 0.7%, pavarësisht situatës së rëndë financiare në të cilën ndodhet. David Cameron, Kryeministri i ri konservator britanik, e përdori tribunën e këtij takimi për t’u bërë thirrje liderëve pjesëmarrës që po humbisnin besueshmërinë para opinionit publik, duke mos plotësuar zotimet e së shkuarës, veçanërisht ato në fushën e ndihmave. “është irrituese që liderët e botës firmosin idetë e tyre dhe më pas nuk i mbajnë premtimet. Britania ka mbajtur premtimet e saj dhe do të vazhdojë që ta bëjë këtë për sa kohë që do të jem unë në pushtet. Sa keq që të tjerët nuk e kanë bërë një gjë të tillë”.
Ndër vendet që kanë edhe shifrat më të këqija për sa i përket mbajtjes së premtimeve për ndihma është Italia. Ky vend po jep asistencën më të pakët të mundshme për sa i përket ndihmës ndaj vendeve të prapambetura dhe në nevojë. Madje edhe Franca dhe Gjermania kanë mundur që të realizojnë premtimet e bëra në takimin e pesë viteve më parë vetëm në masën 25%. Kurse donatorët e tjerë më të mëdhenj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Japonia, ose i kanë mbajtur pjesërisht premtimet, ose do t’i përmbushin ato deri në fund të këtij viti. Sa për Rusinë, ajo nuk bëri ndonjë zotim në takimin e Skocisë. Sipas shumë analistëve të takimit, ky është një fakt i turpshëm që tregon natyrën e vërtetë të politikave financiare dhe sociale të vendeve që marrin pjesë në takim. Kjo mosmbajtje fjale për zotimet e bëra për të ndihmuar të varfrit e botës, ndërkohë që janë shpenzuar miliarda dollarë gjatë këtyre viteve për të shtuar bankat dhe institucionet e tjera financiare, si dhe për të financuar dy luftëra, nuk është aspak progres, por një tragjedi.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›