E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nobelistja, për të parën herë në shqip

Librat e rinj Herta Müller

...Ne sapo kemi hyrë në fushën e pikturës. Ne nuk kemi më përpara nesh një libër, faqe të mbushura me germa që formojnë fjalë të cilat zgjojnë brenda nesh domethëniet që ato duan të thonë dhe që madje shpesh, falë keqkuptimeve fatlumtura, domethëniet që ekzistojnë vetëm në një botë, në atë të lexuesit. Ne gjendemi përballë një tabloje, të heshtur, me sytë të mbërthyer përpara çdo spërkatjeje apo rrëshqitjeje peneli, duke kundruar ngjyrat farfuritëse dhe përthyerjet e dritës. E tillë është dhe kjo vepër e nobelistes së fundit, Herta Müller.

Gjuha e saj, nëse do të guxoja një krahasim të tillë, është një gjuhëz e vogël e kuqe, e cila thotë më tepër se sa rrëfen, ose më mirë tregon se sa shpjegon. E tillë është veçoria e kësaj autoreje të mrekullueshme, me gjuhën e saj poetike deri në dehje, ku asgjë nuk thuhet drejtpërdrejt. Fjalitë e saj të shkurtra janë si ato lëvizjet e befta të penelit të piktorit, i cili zmbrapset dhe rikthehet në një ecejake të papushtueshme, tek pëlhura e tij. E ndarë mes dy kulturave, asaj rumune e tjetrës gjermane, ajo luan me këtë dyzim deri te titulli: “Njeriu është një fazan i madh mbi tokë”. Fazani, në Gjermani, simbolizon më tepër mburrjen dhe mendjemadhësinë, ndërsa në Rumani, është krejt tjetër gjë: fazani është një zog i trembur, që nuk di të fluturojë dhe që largohet duke u fshehur në shkurre, një humbës. A do të ishte njeriu një humbës mendjemadh?”. Kështu e përshkruan përkthyesi Urim Nerguti në parathënie, të parin libër të përkthyer në shqip të fitueses së çmimit “Nobel” për letërsinë Herta Müller. Ajo vjen për herë të parë në gjuhën tonë me një roman të titulluar “Njeriu është një fazan i madh mbi tokë”, i cili u botua për herë të parë në gjuhën gjermane në vitin 1986. Shtëpia botuese “Tirana Times” ka sjellë për lexuesin këtë roman të ri të shkrimtares që lindi në Rumani, e cila vuajti pasojat e diktaturës në vendin e saj të lindjes. Ajo nisi të shkruante në një periudhë të errët të vendit ku u rrit. Nisi të shkruajë nën diktaturë. Fillimisht disa poezi. Sot i quan fëmijërore. Më pas u njoh me prozën. Ishte 26 vjeçe, (mjaft e madhe për t’u marrë me letërsi, sipas konceptit të atëhershëm në Rumani). Ndodhi kur i vdiq i ati. Vijoi kështu si për t’u tërhequr nga realiteti ku jetonte dhe kështu vazhdoi për një kohë të gjatë. Kishin ndodhur mjaft episode që e bënë të reflektonte mbi atë se çfarë ishte jeta e saj, si ishte bërë ajo që ishte... ndërkaq kishin nisur edhe problemet me “Securitate”-n, shërbimin sekret dhe presioni politik. Donin ta rekrutonin. Ajo nuk pranoi. Atëherë nisën torturat... Nuk kishte më siguri në jetën e saj. E pikërisht atëherë, nën gjithë presionin me të cilin bashkëjetonte, ajo nisi të shkruante për veten e saj. Donte ta bënte këtë për veten, nuk mendonte për letërsinë. Miqtë që lexuan ç’kishte shkruar deri atëherë i thanë: “Vazhdo!”. Me gjithë vuajtjet, shkrimtarja e cila vinte nga një komunitet i vogël gjermanësh në Rumani, arriti të arratisej në Gjermani në moshën 32-vjeçare. Ndihej e çliruar, ishte e sigurt se tashmë ia kishte dalë mbanë. Në të njëjtën kohë gjendej edhe para vështirësisë se kishte ardhur në një vend kur gjithçka funksiononte në mënyrë perfekte dhe se shumë gjëra, ekstremisht të thjeshta, ajo nuk i njihte. Ishte njësoj sikur ta kishin hedhur edhe një herë në fëmijëri, kur nuk di se si të sillesh në një supermarket, kur nuk di se si funksionon një WC publike, si të futësh diku një monedhë... veprime banale të cilat në këtë vend mësohen që në moshën 3-vjeçare ndërsa ajo ishte 32. Vetëm pasi mbërriti në Gjermani, kuptoi se sa shumë gjëra i ishin vjedhur në Rumani, se sa shumë të drejta, madje edhe më të voglat. Kështu, përballja me normalitetin, spontanitetin, faktin që nuk kishte gjithnjë frikë, që mund të sillej lirshëm dhe se mund të mendonte si qytetar... sa shumë ofenduese, sa ofenduese që ishte për një njeri! Një vuajtje që për të zgjati 30 vjet: një vuajtje ndaj individit... Në vendin që e priti, vazhdoi të shkruajë. Por jo pa vështirësi. Si çdo shkrimtar tjetër, edhe ajo nuk kishte një vend të sigurt që e priste. Për çdo libër të ri, ishin të shumtë ata që e shihnin me dyshim. Ajo u mundua të bënte gjithçka që ishte e rëndësishme për të. Punoi dhe publikoi. Vetëm kaq.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›