E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Grup pune për alternativën tonë qeverisëse

Partia Socialiste mbledh Këshillin Kombëtar të Ekonomisë

Partia Socialiste ka mbledhur dje për herë të parë Këshillin Ekonomik Kombëtar, i cili do të monitorojë dhe dokumentojë të gjithë situatën ekonomike në vend. I përbërë nga ekspertë të njohur të fushës, por edhe përfaqësues politikë dhe parlamentarë, organi në fjalë ka hedhur një hap cilësisht të ri në formësimin e oponencës së organizuar të selisë rozë për çështjet e ekonomisë. Kjo është bërë e dukshme edhe dje, nga fjala e pjesëmarrësve të cilët kanë diskutuar për të gjitha problemet e ngritura në vijim nga PS, por që këtej e tutje do të adresohen në rrugë institucionale, apo dhe për efekt të ndërtimit të alternativës programore të saj për zgjedhjet e ardhshme. Qëllimin dhe objektivin e këshillit e ka bërë të qartë në pikëpamje politike kreu socialist, Edi Rama, i cili për këtë qëllim ka folur në mënyrë shumë të përmbledhur. “Ky Këshill Ekonomik Kombëtar do të funksionojë si një strukturë permanente, e cila do të ndjekë vijimësisht të gjitha çështjet që lidhen me gjendjen e ekonomisë së vendit dhe me alternativën tonë qeverisëse”, tha Rama, për të shtuar një konstatim që prek plagën e shoqërisë së sotme shqiptare. “çdo familjeje shqiptare sot gjendet me ankthin e shtuar të pasigurisë ekonomike dhe të papunësisë që rritet përditë në përmasa që Shqipëria e vogël e kushteve të sotme nuk i mban dot”, tha ai. Mandej diskutimi ka vijuar me përfaqësues të tjerë, ku ka spikatur fjala e kreut të Këshillit, ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani. Duke folur për rolin rregullator të BSH-së dhe sjelljen institucionale të kësaj të fundit, ai nuk ka lënë pa ripërsëritur akuzat e PS-së për “humbje të pavarësisë së Bankës”. “Pavarësia e këtij institucioni është e dërrmuar. Më shumë një vetëdorëzim i pavarësisë, në këmbim të një mandati të dytë që vjen vitin tjetër. Dhe për të qenë i sinqertë, është një shpërblim i majmë, një mandat edhe 7 vite të tjera, të cilin ata e shesin lehtësisht në këmbim të pavarësisë së institucionit”, është shprehur Cani. Shqetësimet e ngritura që në mbledhjen e parë të këshillit, në të vërtetë kanë krijuar vetiu një dosje të mirëfilltë faktesh që sulmojnë hapur praktikën e kombinuar të qeverisë, që shpërdorimin dhe keqmenaxhimin e mbulon me lojën e shifrave. Instituti i Statistikave është risjellë në qendër të akuzës nga deputeti Ilir Beqja, i cili në fjalën e vet ka nënvizuar aneksimin e integritetit profesional të këtij institucioni, ndaj të cilit PS ka paralajmëruar një padi penale. “Që në shkurt 2004 ka një ligj për statistikat. Ai ligj detyron përgatitjen e një programi zyrtar të statistikave, madje përcakton se ky program duhet të botohet në Fletoren Zyrtare. Në Fletoren Zyrtare është botuar vetëm vendimi për miratimin e programit, ndërsa një kopje ilegale e këtij programi qarkullon nën dorë. Nuk ka asnjë institucion shqiptar që publikisht ta ketë këtë program”, ka deklaruar Beqja, duke sjellë një ilustrim për INSTAT. Ndërkohë, trajtimi i punësimit, çmimeve, por edhe politikave që ndikojnë në pozicionimin e përgjithshëm të Shqipërisë, janë sjellë në vëmendje të këshillit, i cili krijon bërthamën e një veprimtarie opozitare të specializuar dhe të organizuar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›