E Shtunë, 31 Tetor 2026

G99, Veliaj: Fushata është kthyer në stinë vrasjesh

G99 shpreh shqetësim në lidhje me vrasjen e Aleks Kekës, duke deklaruar se 9 ditë para zgjedhjeve “duket sikur jemi në një stinë vrasjesh”. Veliaj e konsideroi ngjarjen si antonim të retorikës së qeverisë për eleminimin e krimit në vend. 

TIRANE- Edhe kreu i G99, Erjon Veliaj ka shprehur shqetësim në lidhje me klimën e dhunës në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit. Duke shprehur ngushëllimet për familjen e Aleks Kekës, Veliaj e konsideroi ngjarjen si antonim të retorikës së qeverisë për eleminimin e krimit në vend.
“Krimi nuk është zhdukur, ai është bërë akoma më i sofistikuar dhe shpesh ai nxitet nga vetë politika shqiptare e cila e inkurajon dhunën. Ka katër vjet që vazhdon sezoni i vrasjeve dhe vdekjeve të cuditshme” deklaroi veliaj.

Kreu i G99 ka denoncuar deklaratën e disa ditëve më parë të kryeparlamentares Jozefina Topalli, e cila u shpreh se demokristianët dhe republikanët janë spiunë e mafiozë.
“Jemi sot të shqetësuar për ata politikanë që e nisin karrierën e tyre duke thënë se të tjerë meritojnë ‘një plumb ballit’, jemi të shqetësuar për deklaratën e zonjës Jozefina Topalli dhe për të gjithë ata poltikanë shqiptarë që cdo ditë investohen në kulturën e dhunës” theksoi Veliaj.

G99 tërheq vëmendjen edhe për moszbardhjen e vrasjes së deputetit socialsit, Fatmir Xhindi.
“Duam tju themi qytetarëve shqiptarë ‘kurajo’ sepse kanë ngelur dhe vetëm 9 ditë për të duruar klithmat dhe kërcënimet banale të këtyre politikanëve. Ka dhe vetëm 9 ditë të fushatës së fundit që i ngjan një stine vrasjesh” u shpreh Veliaj. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›