E Hënë, 2 Nëntor 2026

GAZA – Në pesë ditë vetëm 534 kamionë me ndihma janë lejuar të hynë në Gaza

GAZA, 2 shtator /ATSH-AA/ – Dërgesat e ndihmave në Rripin e Gazës mbeten shumë më poshtë nevojave, me vetëm 534 kamionë nga rreth 3 000, që kanë hyrë gjatë pesë ditëve të fundit, tha Zyra e medias e Qeverisë në Gaza.

Në një deklaratë, zyra tha se numri i kufizuar i kamionëve që ia dolën mbanë “u plaçkitën në mes të kaosit të qëllimshëm të orkestruar nga pushtimi izraelit për të prodhuar zi buke dhe paqëndrueshmëri dhe për të minuar rezistencën e popullit palestinez”.

Sipas zyrës, një total prej 3.188 kamionësh kanë mbërritur në Gaza gjatë 35 ditëve të fundit, duke përfaqësuar më pak se 15 për qind të rreth 21.000 kamionëve të nevojshëm për të përmbushur nevojat themelore humanitare.

Që nga 2 marsi, autoritetet izraelite kanë mbyllur plotësisht të gjitha pikat kufitare të Gazës, duke e shtyrë popullsinë prej 2.4 milionë banorësh të territorit në zi buke.

Një vlerësim i sigurisë ushqimore i mbështetur nga OKB-ja ka konfirmuar tashmë zi buke në Gazën veriore dhe pret që ajo të përhapet më tej në jug deri në fund të shtatorit.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha të hënën se uria ka vrarë 348 palestinezë që nga 7 tetori 2023, përfshirë 127 fëmijë.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›