E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

GAZË – Hamasi dorëzon trupat e katër pengjeve izraelite

TEL AVIV, 27 shkurt /ATSH-DPA/- Hamasi ka dorëzuar trupat e katër pengjeve izraelitë në Kryqin e Kuq në Rripin e Gazës, raportoi media izraelite, duke cituar zyrtarë qeveritarë.

“Zyrtarët izraelitë do të kryejnë identifikimin mjekoligjor të trupave”, tha “Times of Israel”, një parakusht që Izraeli të lirojë mbi 600 të burgosur palestinezë.

“Një autobus i Kryqit të Kuq që shoqëronte të burgosurit palestinezë ishte larguar nga burgu “Ofer”, shtoi “Times of Israel”.

Hamasi tha të martën se kishte arritur një marrëveshje me Izraelin për lirimin e menjëhershëm të më shumë se 600 të burgosurve palestinezë nga Izraeli kundrejt kthimit të katër trupave të pengjeve izraelite nga Hamasi.

Marrëveshja synon të thyejë ngërçin që kishte kërcënuar të prishte marrëveshjen e armëpushimit përpara se të përfundojë faza e parë e saj.

Të dielën, Izraeli ndaloi lirimin e të burgosurve palestinezë – të parashikuar në marrëveshjen e armëpushimit – duke deklaruar se Hamasi duhej së pari t’i jepte fund asaj që ai e përshkroi si “ceremoni poshtëruese” – gjatë lirimit të pengjeve izraelitë.

Pezullimi i shkëmbimit preku më shumë se 600 të burgosur palestinezë, të cilët do të liroheshin në këmbim të gjashtë pengjeve izraelitë.

Rreth 250 persona u rrëmbyen në Rripin e Gazës gjatë sulmeve të paprecedentë të udhëhequr nga grupi ekstremist palestinez Hamas në Izrael më 7 tetor 2023, të cilat shkaktuan vdekjen e rreth 1200 njerëzve.

Masakra shkaktoi luftën e fundit të Gazës, në të cilën janë vrarë rreth 50 000 palestinezë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›