E Enjte, 5 Nëntor 2026

GAZË – Të paktën 12 palestinezë të vrarë pas sulmeve izraelite

TEL AVIV, 29 qershor /ATSH-DPA/- Të paktën 12 persona janë vrarë ngjatë sulmeve të reja izraelite në Gazë, thanë sot mjekët palestinezë.

Ushtria izraelite tha se sulmet ajrore goditën objektiva në Shejaiya, një lagje në lindje të qytetit të Gazës, duke përfshirë celulat e militantëve që ishin gati të sulmonin ushtarët izraelitë.

“Trupat tokësore ndërmorën gjithashtu veprime kundër personave të armatosur mbi tokë dhe në tunele”, tha ushtria, duke shtuar se sasi të mëdha armësh dhe municionesh u gjetën gjatë operacioneve.

Mjekët palestinezë dhe dëshmitarët thanë se fëmijë ishin në mesin e atyre që vdiqën në qytetin e Gazës. Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA tha se ndërtesat e banimit ishin goditur gjithashtu.

Raportet e luftimeve në Gaza nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Ushtria izraelite u bëri thirrje të enjten banorëve të disa lagjeve në qytetin e Gazës, të largoheshin për shkak të operacioneve të reja ushtarake izraelite.

Banorët u njoftuan të shkonin në një “zonë humanitare” të caktuar në jug të territorit. Megjithatë, pas gati nëntë muajsh lufte, kushtet humanitare në zonat e përcaktuara si të sigurta janë katastrofike dhe civilët shpesh nuk mbrohen as atje.

Në fillim të vitit, Izraeli e përshkroi veriun e Rripit të Gazës si të sigurt dhe Hamasin atje si të dobësuar.

Ndërkohë, grupi terrorist islamik duket se është rigrupuar. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›