E Enjte, 5 Nëntor 2026

FOKUS – Sulm terrorist në ambasadën izraelite në Beograd

BEOGRAD, 29 qershor /ATSH-ANSA/- Një tentativë për sulm ka ndodhur sot ndaj ambasadës izraelite në Beograd – ku një polic ka mbetur i plagosur.

Sipas një raporti të TV serb RTS, sulmuesi ka përdorur një hark.

“I plagosuri është një polic serb që ruan selinë diplomatike izraelite, i cili edhe pse u godit në qafë nga një shigjetë e lëshuar nga një hark, ka arritur të qëllojë dhe të vrasë sulmuesin”, sipas burimeve në Beograd.

“Rreth orës 11:00 një person i panjohur ka qëlluar me hark në drejtim të një efektivi të policisë, i cili po ruante ambasadën izraelite, duke e plagosur në qafë”, shkroi ministria.

Efektivi iu nënshtrua një operacioni për të hequr shigjetën dhe tani ndodhet në terapi intensive, në kushte të përcaktuara si “shumë të rënda”.

Ministri i Brendshëm, Ivica Dacic menjëherë e cilësoi aktin si terrorizëm xhihadist vehabist.

“Vehabizmi është një degë fondamentaliste e islamit sunit nga e cila dolën si Al Kaeda ashtu edhe ISIS”, tha ai duke shtuar se hetimet janë duke u zhvilluar.

“Në Beograd, janë forcuar masat e sigurisë. Disa persona u ndaluan “si masë paraprake”, tha Dacic. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›