GJENEVË – OKB: 70% e viktimave në Gaza janë gra dhe fëmijë

GJENEVË, 8 nëntor /ATSH-ANSA/ – Përafërsisht 70% e të vrarëve në Gaza nga sulmet izraelite, bombardimet dhe veprimet e tjera luftarake janë gra dhe fëmijë, çka tregon një shkelje sistematike të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare, thuhet në një raport të publikuar sot në Gjenevë nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe që mbulon periudhën gjashtëmujore nga 1 nëntori 2023 deri më 30 prill 2024.
Dokumenti prej 32 faqesh detajon “realitetin e tmerrshëm që ka ndodhur për popullin e Izraelit dhe Gazës që nga 7 tetori 2023″.
”Vrasjet e civilëve dhe shkeljet e së drejtës ndërkombëtare të shqyrtuara në shumë raste mund të përbëjnë krime lufte. Nëse kryhen si pjesë e një sulmi të gjerë ose sistematik të drejtuar kundër një popullsie civile, në përputhje me politikën shtetërore ose organizative, këto shkelje mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit”, shton OKB-ja.
”Së fundmi, nëse kryhen me qëllimin për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar, ato mund të përbëjnë edhe gjenocid”, paralajmëron raporti./ a.jor.