BUDAPEST – Orban: Me Trumpin të kalojmë nga lufta në paqe në Ukrainë

BUDAPEST, 8 nëntor /ATSH-AFP/ – Kryeministri hungarez, Viktor Orban u bëri thirrje sot evropianëve që të njohin situatën e re të krijuar nga zgjedhja e Donald Trump, duke rënë dakord të kalojnë nga lufta në paqe në Ukrainë, me gjithë mbështetjen e tyre të riafirmuar për Kievin.
“Situata në fushën e betejës është e qartë, është një disfatë ushtarake për Ukrainën”, tha ai, përpara se të mikpriste krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, të mbledhur në Budapest për një samit joformal.
”Donald Trump e urren luftën dhe për këtë arsye, për ne evropianët, situata po evoluon”, shtoi ai në radion hungareze.
“Të përshtatemi shpejt dhe të kalojmë nga lufta në paqe”, theksoi ai.
Miliarderi amerikan, i cili po përgatit kthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë në fund të janarit, gjatë fushatës së tij premtoi se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë për “24 orë”, pa specifikuar se si do ta bënte këtë.
Për kryeministrin hungarez, fronti evropian po plasaritet.
”Po shtohet numri i atyre që heshtin, kur më parë ishin më llafazanë, po rritet numri i atyre që tregohen të kujdesshëm, po ashtu është edhe numri i atyre që shtrojnë pyetjen nëse ndoshta duhet të përshtatemi me situatën e re”, siguroi ai./ a.jor.