GJERMANI – Merz: I shpall luftë të gjitha formave të antisemitizmit

MYNIH , 15 shtator /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz u emocionua thellë gjatë rihapjes sot të një sinagoge të restauruar në Mynih, duke luftuar për të mos shpërthyer në lot, ndërsa mbajti një fjalim ku kujtoi krimet çnjerëzore të kryera ndaj hebrenjve nga nazistët.
“Dua t’ju them sa shumë turp ndiej për këtë, si kancelar i Republikës Federale të Gjermanisë, por edhe si gjerman, si fëmijë i gjeneratës së pasluftës, si një fëmijë që është rritur me ‘kurrë më’ si mision, si detyrë, si premtim”, u shpreh ai.
Ai theksoi se politika dhe shoqëria gjermane “kanë mbyllur sytë për shumë kohë ndaj faktit se një numër i konsiderueshëm i njerëzve që kanë ardhur në Gjermani dekadat e fundit janë socializuar në vende ku antisemitizmi është doktrinë shtetërore, ku urrejtja ndaj Izraelit u mësohet edhe fëmijëve.”
Merz shprehu shpresën se “jeta hebreje në Gjermani një ditë do të mund të vazhdojë pa pasur më nevojë për mbrojtje policore”.
“Ne nuk duhet të mësohemi me faktin se kjo ka qenë e nevojshme për dekada”, shtoi kancelari.
“Prandaj, në emër të gjithë qeverisë federale të Republikës Federale të Gjermanisë, i shpall luftë të gjitha formave të antisemitizmit, të vjetër e të ri”. /Ad.Ab./