GJKKO dënon me 8 muaj burg Erida Lazimin për ushtrim të ndikimit të paligjshëm

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtore Erida Lazimin për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas njoftimit zyrtar, çështja është shqyrtuar me rregullat e gjykimit të shkurtuar, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Flora Hajredinaj, Engjëllushe Tahiri dhe Marinela Osmani, vendosi deklarimin fajtore të të pandehurës dhe dënimin e saj me 1 vit burgim.
Për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, gjykata uli me një të tretën masën e dënimit, duke e dënuar përfundimisht Erida Lazimin me 8 muaj burgim.
Gjykata urdhëroi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vendosjen e saj në shërbim prove për një periudhë 16-mujore. Gjatë kësaj kohe, ajo duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.
Gjithashtu, gjykata vendosi që shpenzimet proceduriale të hetimit paraprak, në vlerën 44 207 lekë, si dhe shpenzimet gjyqësore, t’i ngarkohen të pandehurës në mënyrë solidare me bashkëpandehurit e tjerë të të njëjtit procedim penal.
Sipas njoftimit, kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.
/gj.m/a.f/r.e/