E Diel, 1 Nëntor 2026

GJKKO kalon për gjykim dosjen ndaj Kledian Llahos, Vasil Bakallit, Pando Papuçit dhe Çlirim Shahinit

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi kalimin për gjykim të procedimit penal në ngarkim të të pandehurve Kledian Llaho, Vasil Bakalli, Pando Papuçi dhe Çlirim Shahini, të akuzuar për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.

Sipas GJKKO-së, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kishte paraqitur më 28 janar 2026 kërkesën për dërgimin e çështjes në gjykim.

Vendimi është marrë në seancën paraprake të zhvilluar më 6 maj 2026 nga Gjykata e Posaçme, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Engjëllushe Tahiri.

Gjykata vendosi pranimin e kërkesës së SPAK dhe dërgimin për gjykim të procedimit penal ndaj katër të pandehurve.

Sipas vendimit të gjykatës, Kledian Llaho akuzohet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, gjithashtu në bashkëpunim.

Për të njëjtat vepra penale akuzohet edhe Vasil Bakalli.

Ndërkohë, Pando Papuçi akuzohet për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, të kryer në dy episode, ndërsa Çlirim Shahini akuzohet për të njëjtën vepër penale.

Gjykata vendosi që çështja të shqyrtohet nga një trup gjykues i përbërë nga tre gjyqtarë të Gjykatës së Posaçme.

Po ashtu, së bashku me kërkesën për dërgimin e çështjes në gjykim, do të shqyrtohet edhe kërkesa e të pandehurit Pando Papuçi për zhvillimin e procesit sipas procedurës së gjykimit të shkurtuar.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›