GJKKO lë në burg Berberin, avokati: Askush nuk ka përfituar në mënyrë të padrejtë asnjë tender!

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka lënë në masën e sigurisë “arrest në burg” ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi, i arrestuar për korrupsion dhe pastrim parash, si dhe dy biznesmenët Valter Begaj dhe Ervis Lame.
Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Berberi, titullar i dy institucioneve të rëndësishme shtetërore, përmes dhënies së tenderave, ka përfituar në mënyrë të padrejtë nga kompani që ai i ka shitur fiktivisht, pasi janë ende në pronësi të tij.
Avokati i Berberit mohoi akuzat dhe tha se klienti i tij nuk ka marrë asnjë përfitim të padrejtë nga asnjë tender.
“Ato që pretendoni nuk qëndrojnë, janë të pavërteta! Abuzohet në mënyrë të papërshtatshme me vlerat ekonomike. Këto gjëra do sqarohen në ditët në vijim. Nuk ka vlera të përfituara në favor të zotit Berberi nga shoqëritë që pretendohet në këtë proces hetimor“, u shpreh ai.
Sipas SPAK Berberi ka marrë para nga biznesmeni Valter Begaj, kompania e të cilit përfitoi 6 tendera gjatë kohës që Berberi ka qenë në krye të dy institucioneve të rëndësishme Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Nga hetimet ka rezultuar se Berberi ka dhënë 3 tendera gjatë kohës që drejtonte Agjencinë për Efiçencën e Energjisë me vlerë totale 137,400,000 lekë pa Tvsh dhe 3 tendera të tjerë gjatë kohës që drejtonte Autoritetin Rrugor Shqiptar me vlerë totale 101,811, 343 lekë pa Tvsh, ku përfitues i vetëm i tyre ishte biznesmeni Valter Begaj.
Shuma e përfituar nga Berberi nga Valter Begajt është 223,480,476 lekë, me tvsh. Këto para janë kaluar me transaksione nga kompania e Valter Begaj në kompaninë e Ervis Lames dhe në zotërim indirekt nga Evis Berberi, që më pas i kanë investuar në pasuri të paluajtshme në emër të kompanisë.
Berberi dorëzoi dorëheqjen nga drejtimi i ARSH-së pak orë para arrestimit më 13 mars.
/rtsh.al/