E Martë, 3 Nëntor 2026

Lungomare 3 në Orikum, Rama inspekton punimet: Transformim shembullor i 10.7 kilometrave aks turistik

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet në Lungomare 3 në Orikum këtë të shtunë (16 mars). Sipas kreut të qeverisë, kjo Lungomare do të lidhë përgjatë bregut Ujin e Ftohtë me Orikumin, ku do të ketë shtigje këmbësorësh, zgjerim plazhesh e po ashtu edhe infrastrukturë për varkat.

Rama shprehet se ky projekt do të sjellë një “transformim shembullor” të 10.7 kilometrave aks turistik.

“Vijojnë punimet e Lungomare 3 që do të lidhin përgjatë bregut Ujin e Ftohtë me Orikumin, duke krijuar shtigje këmbësore, hapësira mbrojtëse nga uji e zgjerim plazhesh, përmes molesh të vendosura edhe si infrastrukturë për varkat a për pushuesit, një bajpas të ri paralel me dy segmente të rrugës ekzistuese që kthehen në pedonale, rikualifikim të godinave në bashkëpunim me pronarët privatë, në funksion të një transformimi shembullor 10.7 kilometrave aks turistik”, shkruan Rama.

Ky projekt është cilësuar si më i rëndësishmi në funksion të turizmit në qytetin bregdetar të Vlorës dhe ndër më tërheqësit për turistët vendas e të huaj. Ndër të tjera projekti parashikon që të ndërhyhet në disa aspekte, duke përfshirë edhe një korsi biçikletash me gjatësi 5.3 kilometra.

Gjatë punimeve do të realizohen ndërhyrje për transformimin cilësor të plazheve, hapësirave publike, njësive të shërbimit, si edhe do të mbillen pemë e krijohen zona të mëdha këmbësore mbi gjurmën e rrugës ekzistuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›