GJKKO lë në burg Lulzim Berishën

TIRANË, 20 mars /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Lulzim Berishën, i cili u ekstradua nga Spanja dy ditë më parë.
Gjyatarja Irena Gjoka pas përfundimit të seancës gjyqësore, vendosi vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, caktuar nga GJKKO më 02 dhjetor 2020, ndaj të pandehurit Lulzim Berisha.
Sipas GJKKO i pandehuri Lulzim Berisha dyshohet për një disa vepra penale: Për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” në dëm të shtetasit K.S, “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit O.T; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
“Për ekzekutimin e këtij vendimi, ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kundër këtij vendimi lejohet e drejta e ankimit nga palët, brenda pesë ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi”, njofton GJKKO.
Lulzim Berisha arrestua nga autoritetet spanjolle në dhjetor të vitit 2023 me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
