E Diel, 1 Nëntor 2026

GJKKO lë në burg vrasësin e ‘krahut të djathtë’ të Çapjave, në qeli edhe vëllai i Suel Çelës

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) i ka komunikuar masën e sigurisë “arrest me burg” Sergej Hasanpapajt.

Ky i fundit u ekstradua ditën e djeshme nga Belgjika, ndërsa akuzohet si i përfshirë në vrasjen e Bledar Muçës, ngjarje e ndodhur më 22 janar 2022 në Aartselaar.

Muça, i përfshirë në disa ngjarje të rënda në Elbasan, njihej si krahu i djathtë i familjes Çapja.

32-vjeçari Hasanpapaj, lindur në Elbasan, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi GJKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe kryer në kuadër të organizatës kriminale, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

GJKKO ka lënë në qeli edhe Mario Çelën, vëllain e Suel Çelës, i cili gjithashtu u ekstradua ditën e djeshme nga Belgjika në drejtim të vendit tonë.

Ai u arrestua disa kohë më parë në Belgjikë, në kuadër të operacionit të SPAK, i cili lëshoi asokohe 21 urdhër-arreste.

Sipas SPAK, Mario Çela është përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave.

Nga hetimet, SPAK ka dokumentuar se organizata e Suel Çelës kanë tentuar të trafikojë sasi të mëdha kokainë nga Amerikan Latine drejt Evropës.

Sipas SPAK, ka patur tentativa për trafikimin e afërsisht 930 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Europë, në dhjetor 2020. Po ashtu, është tentuar trafikimin e 466 kilogramë të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Holandë, në janar 2021.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›