Safet Bajri ankesë në Gjykatë Kushtetuese. Ja arsyeja

Safet Rustemi, i njohur si Safet Bajri, ka depozituar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, ku kundërshton masën e sigurimit personal “Arrest me burg” të vendosur ndaj tij.
Në padinë e paraqitur, Bajri kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të tre vendimeve gjyqësore që kanë caktuar dhe lënë në fuqi masën e arrestit në burg.
Konkretisht, ai kundërshton vendimin nr. 22, datë 24.02.2025 të Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; vendimin nr. 20 (87-2025-93), datë 20.03.2025 të Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; si dhe vendimin nr. 00-2025-1018, datë 24.06.2025 të Kolegjit Penal të Gjykata e Lartë e Shqipërisë.
Sipas kërkesës, Bajri pretendon se vendimet në fjalë cenojnë të drejtat dhe liritë e tij kushtetuese, duke argumentuar se masa e sigurimit “Arrest me burg” është e pajustifikuar dhe jo proporcionale.
Tashmë pritet që Gjykata Kushtetuese të vendosë fillimisht mbi pranueshmërinë e kërkesës, përpara se të shqyrtojë në themel pretendimet e paraqitura nga kërkuesi.
Në nëntor 2025 Prokuroria e Posaçme (SPAK) mbylli hetimet lidhur me vrasjen e xhaxhait të Ibrahim Licit, Fatbardh Licit dhe çoi për gjykim Safet Bajrin, Behar Bajrin, Astmer Bilalin dhe Eria Agon, kjo e fundit e liruar pak javë më parë nga qelia dhe e lënë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Tashmë pritet që Gjykata e Posaçme të marrë vendimin nëse dosja do të kalojë për gjykim apo do të rikthehet në SPAK për plotësim hetimesh.
Për vrasjen e Fatbardh Licit, SPAK ka ngritur ndaj të pandehurve akuzat “Vrasje me paramendim”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Ndërsa Eria Ago akuzohet se ka drejtuar një prej makinave të përdorura në këtë ngjarje.
Motivi i vrasjes së Licit, në gusht 2018, sipas SPAK, lidhet me dyshimin e Behar Bajrit se Ibrahim Lici kishte vrarë një pjesëtar të grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana më 15 korrik të vitit të 2018, i cili u ekzekutua në makinë bashkë me partneren Silvi Ndoci, ndërsa fëmija 3-vjeçar shpëtoi.