E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJKKO pranon kërkesën e SPAK, zgjat me 3 muaj hetimet ndaj ish-deputetit socialist

GJKKO ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), për zgjatjen edhe me 3 muaj të hetimeve ndaj ish-deputetit socialist të arrestuar prej 20 tetorit 2024, Jurgis Çyrbja.

SPAK e bëri këtë kërkesë në seancën e të martës, për shkak se është në pritje të disa letër-porosive të nisura agjencive partnere jashtë vendit.

Çyrbja u arrestua më 21 tetor pas një hetimi të SPAK, ku akuzohet për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”. Hetimet përfshijnë zbërthimin e bisedave të tij në aplikacionin SKY/ECC, ku akuzohet se ka informuar bandat kriminale në Durrës për operacionet e policisë, duke dekonspiruar plane të sigurisë dhe kontrollet që do të zhvilloheshin për kapjen e personave në kërkim.

Përveç Çyrbjas, një tjetër person i lidhur me këtë çështje, Ahmet Masha, është arrestuar gjithashtu për përfshirjen në këtë rrjet të shkeljes së sekretit shtetëror. Dyshimet janë se Çyrbja dhe Masha kanë transmetuar informacione sekrete lidhur me planet operacionale të policisë në Durrës, duke ndihmuar bandat kriminale për t’u larguar nga kontrolli i autoriteteve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›