GJKKO rrëzon kërkesën e Pajtime Fetahut, ish-gjyqtarja mbetet në burg

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit ka rrëzuar kërkesën e ish-gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu, për të zëvendësuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Pas shqyrtimit të kërkesës, trupa gjykuese, e kryesuar nga gjyqtar Erjon Çela, ka vendosur që Pajtime Fetahu të mbetet në burg, duke refuzuar ndryshimin e masës së sigurisë.
Fetahu akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre, dhe është nën hetim për dy dosje të lidhura me grupet kriminale të vëllezërve Çopja dhe Suel Çelës. Hetimet kanë nxjerrë në pah se ish-gjyqtarja dyshohet se ka falsifikuar vendime gjykate për të favorizuar vëllezërit Çopja dhe ka ofruar informacione sekrete hetimore.
Gjithashtu, ajo është e përfshirë në një hetim të lidhur me grupin kriminal të Suel Çelës, hetimi i të cilit ka zbardhur biseda të publikuara në aplikacionin e komunikimit SKY ECC.
/rtsh.al/