GJKKO shtyn seancën për “Sterilizimin”, Beqaj: Nuk e kemi të gjithë dosjen

TIRANË, 13 maj/ATSH/ Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka shtyrë për në datën 3 qershor, ora 09:00, seancën gjyqësore në ngarkim të ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe 8 të pandehurve të tjerë të dosjes së koncesionit të Sterilizimit.
Në seancën gjyqësore paraprake të zhvilluar sot, Ish- ministri Beqaj kërkoj kohë për të shqyrtuar të gjithë dokumentacionin. “Na duhet më shumë kohë për t’u përgatitur për dosjen. Ende nuk na është vënë në dispozicion e gjithë dosja. Në volumet e dosjes, ka brenda edhe CD, DVD, USB, të cilat nuk mund të skanohen. Kkemi kërkuar të na japin një kopje, akoma nuk na është plotësuar kjo kërkesë”, tha Beqaj. “Që të bëjmë mbrojtjen, ne duhet të njihemi me të gjithë përmbajtjen e dosjes”, tha ish-ministri Beqaj në një prononcim për mediet në përfundim të seancës gjyqësore paraprake.
Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në përfundim të hetimit 3-vjeçar për koncesionin e Sterilizimit ka ngritur akuza për 9 të pandehur, dy prej të cilëve po hetohen nën masën e sigurisë “Arrest me burg”. Mes tyre është dhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i akuzuar për “Shpërdorim Detyre” dhe nën hetim në masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”. Po ashtu, pjesë e dosjes është dhe ish-zv/ministri Klodian Rrjepaj, i akuzuar për tre vepra penale: “Mashtrim”, “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim të dokumenteve”. Ish numri dy i Ministrisë së Shëndetësisë është nën masën e sigurisë “arrest me burg”, ashtu si dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.
Skeda e akuzave ndaj të pandehurve të dosjes së “Sterilizimit”
– Ilir Beqaj, “Shpërdorimi detyre”;
– Klodian Rjepaj, i akuzuar për “Mashtrim”, “Falsifikim të dokumenteve”, “Shpërdorim detyre”;
– Ilir Rrapaj, “Mashtrim”;
– Marsela Serjani, “Falsifikim të dokumenteve”, “Shpërdorim detyre”;
– Saimir Kadiu, “Falsifikim të dokumenteve”, “Shpërdorim detyre”;
– Petref Mersini, “Falsifikim të dokumenteve”, “Shpërdorim detyre”;
– Arben Gjata, “Falsifikim të dokumenteve”, “Shpërdorim detyre”;
– Genc Burazeri, “Falsifikim të dokumenteve”, “Shpërdorim detyre”;
– Naile Ajazi, “Falsifikim të dokumenteve”, “Shpërdorim detyre”.
/r.e/