E Premte, 6 Nëntor 2026

Anëtarët e mazhorancës së komisionit hetimor për kontratat në shëndetësi, vizitë në Centralin Qendror të Sterilizimit

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up në Shëndetësi, i kryesuar nga nënkryetari Plarent Ndreca dhe shoqëruar nga anëtarët e mazhorancës së komisionit, përkatësisht Klodiana Spahiu, Ilir Metaj, Mirela Pitushi dhe Edona Bilali, zhvilluan ditën e sotme një vizitë në Centralin Qendror të Sterilizimit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Qëllimi i kësaj vizite ishte për të parë zbatimin e kontratave të cilat janë objekt hetimi të komisionit.

Në këtë vizitë anëtarët e komisionit u pritën nga drejtoresha e QSUT, Alma Cani dhe stafi shoqërues.

Nënkryetari i komisionit, Plarent Ndreca, në fillim të vizitës falënderoi Canin për pritjen dhe gatishmërinë, si edhe kërkoi informacione mbi mbarëvajtjen e procesit dhe zbatimit të kontratave në shëndetësi.

“Sot kemi ardhur për të bërë një vizitë, por më shumë për të parë nga afër sesi po shkon zbatimi i kontratës, pra një informacion se si po ndodh gjithë procesi në QSUT”, tha Ndreca.

Cani në fjalën e saj vuri në dukje se sipas statistikave, duke marrë periudhën krahasuese para lidhjes së kontratës, cilësia e shërbimit dhe kushtet e punës janë përmirësuar, thënë kjo pas përfshirjes së veshjeve njëpërdorimshme për sallat kirurgjikale, gjë e cila është tepër e rëndësishme, çarçafët njëpërdorimësh, rritjen e numrit të veglave të punës etj.

Komisioni u njoh me ambientet e sterilizimit të mjeteve të punës në QSUT, ku u shoqërua nga stafi i spitalit.

Anëtarëve të komisionit iu shpjegua nga afër si funksionon procesi i sterilizimit dhe ecurinë e gjithë procesit, deri në përfundim të bërjes gati të mjeteve të punës.

Më pas, komisioni zhvilloi një vizitë edhe në Shërbimin e Kirurgjisë, ku u shoqërua nga Dr. Arvin Dibra Shefi i Shërbimit të Kirurgjisë në QSUT, Dr. Altin Veshti Shefi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, Dr. Vladimir Filaj, etj.

Në këtë pjesë, anëtarët e komisionit panë nga afër sallat kirurgjikale, paketat e mjeteve të punës në kirurgji etj.

Në fund të vizitës, Ndreca dhe anëtarët e komisionit zhvilluan një tryezë bashkëbisedimi me drejtoreshën Cani dhe disa prej mjekëve të spitalit, duke diskutuar mbi ofrimin e shërbimit Saniservice, cilësinë e instrumenteve kirurgjikalë, opinion për cilësinë e veshjeve njëpërdorimshme, për sigurinë e sterilitetit në sallën operatore etj.

1 nga 19

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›