E Shtunë, 31 Tetor 2026

GKA, konkurs për bustin e Fan Nolit në Turqi

Për të përjetësuar figurën e shquar kombëtare të Fan Nolit, i cili do të vendoset në qytetin Ibrik Tepe-Turqi, Galeria Kombëtare e Arteve, në mbështetje të Urdhrit të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nr. 45, datë 26 janar 2010 Për shpallje konkursi, shpall Konkursin Kombëtar, për realizimin në skulpturë të bustit kushtuar figurës së shquar kombëtare Fan Noli, i cili do të vendoset në një nga sheshet e qytetit të tij të lindjes Ibrik Tepe të Turqisë.

Në këtë konkurs kanë të drejtë të marrin pjesë artistë dhe arkitektë shqiptarë kudo që jetojnë dhe punojnë. Arkitekti përzgjidhet me dëshirën e artistit për të bashkëpunuar në realizimin e maketit. Në konkurs pranohen punime individuale. Punimi nuk duhet të jetë pjesëmarrës apo të jetë ekspozuar në veprimtari të tjera të mëparshme të këtij lloji. Ai duhet të jetë i punuar enkas për këtë konkurs. Punimi duhet të jetë shprehje artistike realiste dhe figurative me destinacion përjetësimin e tipareve dhe personalitetin psikologjik të Fan Nolit. Punimi do të paraqitet në formën artistike të bocetit, i cili duhet të shoqërohet me maketin përkatës dhe foto të strukturës arkitektonike të mjedisit. Boceti duhet të jetë i realizuar në lartësinë 70 cm dhe portreti i Fan Nolit të jetë në madhësi natyrale, ku të dallohen qartë tiparet dhe psikologjia e tij. Boceti duhet të jetë i realizuar në materialin allçi. Artisti duhet të dorëzojë së bashku me bocetin një foto të bocetit të paraqitur, CV të plotë dhe një foto personale. Ky dokumentacion është i vlefshëm për punën dhe diskutimet e jurisë, si dhe për arkivimin e këtij fakti historik në dosjen ë artistit fitues. Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë është institucioni ku do të organizohet Konkursi Kombëtar për realizimin e bustit. Punimi-bocet duhet të dorëzohet në Galerinë Kombëtare të Arteve deri me datë 10.03. 2010. Afati i fundit i dorëzimit të boceteve nuk duhet të shkelet nga artistët, pas kësaj date asnjë bocet nuk do të pranohet. Ekspozimi i boceteve të përzgjedhura nga juria e konkursit do të paraqitet në sallën e Bibliotekës së GKA. Me datë 12. 03. 2010, ditën e premte, do të shpallet nga juria e konkursit, në mjediset e GKA, fituesi i bocetit më të arrirë. Për realizimin e bustit në përmasat e përcaktuara artisti fitues lidh kontratë me MTKRS, e cila ka vendosur në dispozicion për realizimin e bustit shumën prej 1.590.000 lek. Shpenzimet e transportit të bustit të Fan Nolit në bronz nga QRVA në Ibrik Tepe të Turqisë i merr përsipër Instituti i Diasporës pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Busti do të vendoset në një hapësirë, pranë sheshit Republika të qytetit Ibrik Tepe, të Turqisë, ku ka lindur figura e shquar kombëtare Fan Noli.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›