GNK: Kosova në tranzicion të brishtë
Kosova ka ndërmarrë hapin e parë në ndërtimin e shtetit, por komuniteti ndërkombëtar ka dështuar në përmbushjen e zotimeve dhe perspektiva e një ndarjeje faktike po rritet. Ky është vlerësimi që e ka bërë Grupi Ndërkombëtar i Krizave, në raportin e fundit të publikuar të enjten, "Tranzicioni i brishtë i Kosovës”.
GNK ka thënë se komuniteti ndërkombëtar që nga 17 shkurti, nuk ka vendosur një bazë të qëndrueshme. Në raport po ashtu thuhet se pavarësia është dashur të mbikëqyrej, bazuar në propozimin e Ahtisaarit, por, përkrahësit e planit, nuk i kanë mbajtur zotimet e tyre, për shkak të kundërshtimit serb dhe rus, vullnetit të pamjaftueshëm politik dhe koordinimit të dobët.
"Dhuna e madhe ëshë evituar, por qetësia është mashtruese", ka thënë drejtori i GNKpër Kosovën Aleks Anderson. Nëse ndarja faktike vazhdon, serbët në jug të lumit Ibër do të jenë të rrezikuar, do të rritet presioni për të rishkruar kufijtë në shtetet e ish-Jugosllavisë, dhe perspektiva e anëtarësimit të këtyre shteteve në BE do të zbehet, thotë në raport GNK.
Raporti vë në pah se Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) i mungon autoriteti i planifikuar për të. GNK thekson se misioni i OKB-së ende funksionon si administratë e përkohshme. Grupi shkruan se tërheqja e UNMIK-ut dhe zbarkimi i EULEX-it në zonat e banuara me serbë, mbetet e paqartë. GNK nënvizon se qeveria e re e Serbisë është e etur të lëvizë drejt anëtarësimit të BE-së, por nuk e dëshiron praninë e BE-së në Kosovë.
Grupi i rekomandon BE-së që në bisedimet për kandidaturë me Beogradin të sigurojë zbarkimin e misionit në tërë Kosovën.
Reperkusionet për Kosovën nga ngjarjet e fundit në Gjeorgji mbesin të shihen, shkruan GNK, duke vënë në pah se Rusia po merr shembull Ballkanin si justifikim për veprimet e saj në Oseti dhe Abkhazi. "Kosova po dëshmon të jetë një test i vështirë dhe vendimtar për politikën mbrojtëse dhe të sigurisë së BE-së, por vullneti politik i parë para shkurtit, po zbehet", ka thënë Sabine Freizer, drejtoreshë e ICG-së për Evropën.