“GRECO” vlerëson Shqipërinë, Rama: Inteligjenca Artificiale do luftojë korrupsionin në sektorët më të prekur

Grupi i shteteve kundër korrupsionit, GRECO, publikoi sot raportin për Shqipërinë duke vlerësuar arritjet e qeverisë në betejën për parandalimin e korrupsionit dhe duke vënë në dukje se nga 24 rekomandime, Shqipëria nuk ka zbatuar vetëm një rekomandim.
Gjatë ceremonisë së organizuar për prezantimin e gjetjeve të GRECO-s, kryeministri Edi Rama theksoi vullnetin e qeverisë për të luftuar korrupsionin nëpërmjet modernizimit të shtetit shqiptar.
Rama lajmëroi rritjen e mbështetjes financiare të qeverisë ndaj institucioneve të reformës në drejtësi, në mënyrë të veçantë Spakut dhe gjykatës së posaçme.
Rama: Në sistemin e drejtësisë jemi akoma në epokën e gurit. Zhvillojmë intervista në prokurori, edhe në polici në fakt, pa audio dhe pa video, intervistat në prokurori, që nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm deri tek prokuroria speciale bëhen si në kohën e gurit “Unë të shoh e ti më sheh, unë të pyes e ti më thua dhe unë shkruaj çfarë të dua”. Kjo është vënë në pah nga institucionet ndërkombëtare, është një nga gjërat që duhet korrigjuar me urgjencë dhe ne do ta korrigjojmë patjetër, duke e vazhduar ta mbështesim fuqimisht sistemin e drejtësisë, duke vazhduar ta mbështesim fuqimisht SPAK-un, GJKKO dhe gjithë institucionet e tjera.
Kryeministri Rama sqaroi se në sektorët ku korrupsioni është më i përhapur, do të aplikohet digjitalizimi i sistemeve si dhe do të futet inteligjenca artificiale.
Rama: Jemi të vetëdijshëm që Kadastra ka nevojë për të qenë shumë më efektive ndaj shërbimeve për qytetarët, pavarësisht progresit të madh që është bërë krahasimisht me nga ku jemi nisur dhe ndërkohë që ecim me digjitalizimin e plotë të Kadastrës, falë mbështetjes që kemi marrë dhe nga Komisioni Europian, po punojmë edhe për të futur Inteligjencën Artificiale në proceset e Kadastrës më pas.
Rama përsëriti se qeveria do të bëjë të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke hedhur poshtë zërat se procesi është shtyrë.
Rama: Dua të theksoj se shumë shpejt ne do të vazhdojmë me hapjen e kapitujve të tjerë ndryshe nga ç’është thënë ditët e fundit në pasqyrat e kënetës mediatike dhe politike.
Sipas qeverisë shqiptare brenda 6 muajve të parë të këtij viti do të hapen bisedimet për të gjithë kapitujt që duhen negociuar që vendi të anëtarësohet në BE./vizionplus.tv