GREQI – Një anije-cisternë shpëton dhjetëra emigrantë

GAVDOS, 12 shtator /ATSH-DPA/ – Një anije-cisternë ka marrë 38 emigrantë në bord në jug të ishullit të vogël grek të Gavdos, raportoi sot transmetuesi grek ERTnews duke cituar rojat bregdetare.
Njerëzit nga Sudani, Libia dhe Siria thuhet se janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë sjellë në Gavdos.
Hapi tjetër është transferimi i emigrantëve në ishullin e Kretës, i cili shtrihet pothuajse 40 kilometra në veri. Gavdos, me rreth 100 banorë, ka vetëm objekte të kufizuara për të akomoduar dhe ushqyer njerëzit për një periudhë të gjatë.
Sipas informacioneve fillestare nga burimet e rojes bregdetare, emigrantët besohet se janë nisur nga Tobruku në Libi.
Kohët e fundit është rritur numri i emigrantëve që kalojnë nga Libia në Greqi dhe në këtë mënyrë drejt Bashkimit Evropian.
Agjencia e OKB-së për refugjatët (UNHCR) dhe roja bregdetare greke thuhet se kanë vëzhguar për disa muaj që bandat e kontrabandës po përdorin gjithnjë e më shumë rrugën nga Tobruku në Libi në Kretë.
Sipas agjencisë së OKB-së, rreth 3 000 emigrantë mbërritën në Kretë dhe Gavdos nga fillimi i vitit deri më 8 shtator./ a.jor.