E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gabimet që po na përsëriten

Sivjet dëgjova shpesh se filmi kombëtar nuk shikohet, sepse s’ia vlen të shikohet. Padyshim, kjo është një e vërtetë. Mirëpo, në ekstremin tjetër, kjo lidhet edhe me paragjykime e mashtrime, po aq sa edhe me paditurinë për mënyrën sesi mund të organizohet sot një kinematografi bashkëkohore. E njëjta gjë, pak a shumë, vlen edhe për teatrin.

Nëse kësaj faktografie i shtohen edhe rrethanat, se në rajon ekziston një “krizë filmi” dhe se televizionet - pavarësisht programeve që i servojnë - janë në avantazh, atëherë këtu më s’bëhet fjalë vetëm për mashtrime e padituri, por edhe për një varg të vërtetash që duhen demaskuar.

Në këtë vit kalendarik jo vetëm në Kinemanë ABC por edhe në festivalet relevante kosovare me karakter ndërkombëtar, siç janë DokuFest, PriFilmFest ose SkenaUp, u shfaqën me qindra filma zhanresh e stilesh të ndryshme. Këto festivale, përveç reputacionit dhe organizimeve vazhdimisht në rritje, dëshmojnë se filmi prodhohet në vazhdimësi, dhe se me ndihmën e distribucionit dhe promovimit mund të vihet deri tek profiti dhe reproduksioni ekonomik - pavarësisht kufizimeve shtetërore.

Këto festivale dëshmuan se filmi prodhohet edhe aty ku deri dje s’kishte kamerë filmike ose reflektor, aty ku ende dëgjohet zhurma e agregatit ose negativi mbështillet me kuadro të xhiruar. Në secilin shtet të Europës filmi kuptohet si mjet i rëndësishëm i komunikimit, logjikës, rinjohjes, zbulimit të të vërtetave të bashkësive të ndryshme, dhe ku njeriu klasifikohet në anën e progresit ose të regresit. Filmi është shndërruar në një mjet që afirmon humanizmin në botën bashkëkohore.

Filmi sot ruan integritetin njerëzor në çastet historike. Sot, pra, vetëm filmat që flasin për krizë morali, dilema, ndërgjegje, fatalizëm e konflikte çnjerëzore, mbesin projekte që kërkohen, shikohen dhe mbahen mend. Filmi, njësoj si artet tjera, duhet ta imagjinojë realitetin dhe ta reprodukojë, atë me më shumë apo më pak sukses.

Në vitin 2011 pati shumë filma të realizuar me temë konflikti, megjithëse ka shumë pak filma që kësaj teme unike i dhanë forcën e një vepre artistike, të një dokumenti jetësor ose të një besimi absolut. Kështu, Ekrem Kryeziu e Agim Sopi na dhanë informata të kota se projektet e tyre do të realizohen definitivisht këtë vit. Regjisori diletant, Ekrem Kryeziu, madje na kumtoi se filmi i tij do të paraqitej edhe në festivalin e famshëm të Berlinit, edhe pse – fatkeqësisht - projekti i tij s’ishte në gjendje as ta kalonte paraseleksionimin për këtë festival të rëndësishëm, duke na dhënë kështu dëshmi se fjala është për një kineast që jeton në të kaluarën, me një fotografi të idealizuar për vetveten dhe për njerëzit që e rrethojnë.

Nga ana tjetër, zhvillimi i filmit të shkurtër është shumë i shpejtë dhe pozitiv. Këta filma në fakt dëshmojnë se në Kosovë dita-ditës po formohen ca kineastë të rinj, të cilët janë në gjendje të krijojnë filma të ndershëm, pa gënjeshtra e pa korrupsion. Pra, filma që janë në gjendje të gjejnë rrugën deri te shikuesi. Suksesi më i madh kinematografik i këtij viti padyshim se i përshkruhet filmit të shkurtër “Kthimi”, i realizuar nga Blerta Zeqiri. Është ky një projekt që do të na e zbardhë fytyrën me shfaqjen në konkurrencën zyrtare të festivalit të mirënjohur Sundance Film Festival. Ky realitet i ri, ku bëjnë pjesë edhe Ujkan Hysaj e Arzana Kraja (me filmat e tyre të shkurtër që arritën të kalojnë me sukses paraseleksionimin për festivalin e filmit në Berlin) i demaskojnë të gjithë ata spekulantë - të mëdhenj e të vegjël - që veprojnë pa asnjë talent dhe inspirim, duke krijuar filma naiv, patetik dhe ireal, zakonisht të metrazhit të gjatë, dhe duke na shkaktuar shumë dëm në zhvillimin e përgjithshëm kinematografik.

Përcaktimi i normave interne dhe eksterne në Teatër, gjatë vitit 2011, pati për detyrë rregullimin e veprimtarisë teatrore në TKK. Me këto norma ligjore do të duhej zhvilluar e stimuluar paraqitja e modeleve alternative të difuzionit teatror. Në produksionin e një shfaqjeje teatrore tash llogaritet një numër i madh i ekspertëve të profileve të ndryshme, filluar me regjisorin si kreatorin kryesor, e deri tek punëtori i zakonshëm skenik, si kontribuues. Në mungesë të një ligji universal për teatër vepron një ligj i sakatosur, i cili duhet korrigjuar në shumë nene para se të aprovohet zyrtarisht. Versioni i fundit ka ngatërresa të mëdha kompetencash, paqartësi të mëdha për funksionin e drejtorit të përgjithshëm dhe atij artistik, formulime të gabuara dhe përsëritje mendimesh…

Teatri Kombëtar i Kosovës ende funksionon pa statut (draftin që e sigurova është një kopje e zbehtë e ligjit të çoroditur...), me rregullore të pacaktuara e pa një ansambël rezident të kompletuar - i cili s’do të zgjidhet sipas ligjit për teatër. Gjithë kjo shkakton shumë përplasje mes aktorëve aktivë dhe joaktivë në teatër, ose aktorëve aktivë në televizion, radio apo film, por të angazhuar me kontratë. Fatkeqësisht, pra, ende mungon përgjigjja në pyetjen se çfarë teatri duhet krijuar.

Dikush na thotë se ky teatër, edhe pse me buxhet shtetëror, duhet të sigurojë mënyra për komercializim,e të tjerët shpresojnë se mund të krijohet një teatër me ambicie artistike dhe me program të veçantë?! Kjo dikotomi krijon kundërthënie rreth konceptit themelor, dhe dallime në interesa, rregulla e shprehi, të cilat trashëgohen.

Unë mendoj se TKK duhet të jetë një teatër profesionist, që pjesën e mbetur të buxhetit do ta kompensonte me të hyra vetanake, ndërkaq reputacionin artistik do ta siguronte me shfaqjet që janë në gjendje të ekzistojnë brenda një politike afatgjate repertori. Tekefundit, as s’duhet që ky teatër të jetë bërthamë e kulturës teatrore? Me programe novatore dhe interesante, e me turne të ndryshme në Kosovë e jashtë saj, ai do të dëshmohej gjithmonë si “open”. Viteve të fundit kjo skenë veproi me kufizime (për shkak të konflikteve të brendshme e të jashtme).

Kjo faktikisht nuk i përgjigjet një koncepti teatror atraktiv, por edhe të hapur ndaj vlerave tradicionale dhe avangarde. Me këtë modus veprimi, teatri do të mund të siguronte një vitalitet permanent dhe do të ishte në gjendje të iniciojë dialogun, e të krijojë kushte për tejkalim të vështirësive. Secili projekt dhe çdo sezon i ri në TKK duhet të paraqes diçka më tepër, jo vetëm për teatrin por edhe për opinionin publik. Në këtë konkurrencë të paskrupullt, teatri duhet të kërkojë sakrifica nga secili, sepse kështu siguron qëndrueshmëri dhe veprimtari artistike.

Në vitin 2011, projekti teatror “Rock &Roll”, i realizuar nga regjisori boshnjak Dino Mustafic, ishte shfaqja e vitit, mirëpo me një koncept ideor plagjiat dhe me një faturë ekstreme të shpenzimeve për standardet tona.

(Autori është regjisor dhe kritik arti)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›