E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gabo ka probleme mendore

Vëllai i Gabriel Garcia Marquez thotë se shkrimtari kolumbian, fitues i çmimit “Nobel” për letërsi më 1982, është duke vuajtur nga çmenduria.

Jaime Garcia Marquez u ka thënë studentëve të vet gjatë një ligjërate në qytetin e Kartagjenës, se vëllai i tij, i cili aktualisht është 85-vjeçar, i telefonon shumë shpesh tek i bën pyetje bazike.

“Ai ka probleme me kujtesën. Nganjëherë qaj, sepse më duket sikur jam duke e humbur”, ka thënë ai. Ai po ashtu ka thënë se shkrimtari me nam nuk është duke shkruar më.

Korrespodenti i BBC-së në Kolumbi, Arturo Wallace, ka thënë se tashmë janë shpërndarë thashetheme të shumta lidhur me problemet me kujtesë të Garcia Marquez. Jaime Garcia Marquez, vëllai i tij më i ri, është i pari nga familja që ka folur publikisht për sëmundjen e tij. Në vend se të flasë për marrëdhënien e tij me Gabrielin, si një prej shkrimtarëve më të mirënjohur në Kolumbi, Jaime ka thënë se nuk mundet më ta mbajë të fshehur sëmundjen e të vëllait.

“Ai është mjaft në formë fizikisht, por ka kohë të gjatë që është duke vuajtur nga sëmundja e nervave të trurit. Ai ende ka sensin e humorit, kënaqësinë e entuziazmin që e ka pasur gjithmonë”, ka shtuar ai.

Kryevepra e tij e vitit 1967, “Njëqind vjet vetmi” nis me rrëfimin e një familjeje që nuk është në gjendje të kujdeset për gjyshin e tyre të vjetër që ka probleme mendore. “Është një sëmundje që e përcjell familjen”, ka thënë Jaime Garcia Marquez.

Gabriel Garcia Marquez aktualisht jeton në Meksikë dhe ka disa vjet që nuk ka pasur ndonjë paraqitje publike. Romanet e tij më të njohura përfshijnë tituj si “Dashuri në kohën e kolerës”, “Kronika e një vdekje të paralajmëruar” dhe “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë”. Ai është bërë i njohur më së shumti me romanin “Njëqind vjet vetmi”, i cili është shitur në më shumë se 30 milionë kopje dhe është përkthyer në më shumë se 30 gjuhë të botës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›