E Diel, 1 Nëntor 2026

Gabojnë analizat, pacienti me tumor gëzon shëndet të plotë

Historia 51-vjeçari nga Tirana, i cili rrezikoi të kryente operacione dhe kimioterapi për dy tumore që nuk i kishte

Kjo është një nga ato historitë që ta bëjnë mishin me mornica kur e dëgjon, por që në fund të bëjnë të vlerësosh shprehjen që njeriu është doktori më i mirë i vetes. Në botën e mjekësisë, aty ku logjika e ftohtë bën hesape për investime në shërbimet ku njerëzit nuk janë të predispozuar të vdesin, ndoshta ky rast mund të quhet një gabim mjekësor. Por për njerëzit e thjeshtë, të cilët tmerrohen nga fjala kancer, ngjarja që i ra për hise Ylli Sinanit do të mbetet etalon dhe histori për shumë kohë. Ylli Sinani, me dëshirën për të dhënë një mesazh, por edhe për të treguar historinë e tij, kërkoi ta bënte publike ngjarjen, ndërkohë që sqaron se do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të gjetur të drejtën dhe për të zhdëmtuar minimalisht dëmin financiar e ardhur nga kjo histori.
51-vjeçari nga Tirana ka jetuar për tre muaj me radhë me angështinë, ankthin dhe mallkimin e vdekjes, e cila kishte ardhur ta merrte. Teksa shihte të afërmit e tij në sy, në mendje i rrihte si çekan meraku se për pak kohë do të vdiste. Por jo vetëm kaq, operacionet dhe kimioterapitë që duhet të bënte, si edhe gjetja e një kirurgu të mirë që t’ia besonte.

“Nuk fal njeri në këtë botë, kam jetuar me brengën se do të vdes për pak kohë, kam shqetësuar familjarët, të afërmit, kam lënë punën dhe për tre muaj me radhë jam marrë me ekzaminime sa në një klinikë në tjetrën. Kam shpenzuar para për të shkuar jashtë, për të gjetur të vërtetën. Qaja dhe shpirti im e di se çka hequr këto kohë, të besoja se do të vdisja kur isha mirë dhe nuk ndieja asgjë”, thotë Ylli Sinani, qytetarit që iu tha se vuante nga dy lloje tumoresh, por në fakt gëzon shëndet të plotë. I vetmi shqetësim i tij është një formë e lehtë gastriti, kjo për shkak të konsumit të vazhdueshëm të duhanit...

Rrëfimi i ekzaminimit të gabuar

“Jam paraqitur në qendrën diagnostike ‘Ikeda’ në Tiranë, për një kontroll rutinë, për një eko abdominale. Pasi bëra këtë eko m’u sugjerua të bëja një endoskopi, sepse shikonin një problem me stomakun. Gjatë kryerjes së kësaj analize m’u tha se duhet të merrnin masë për ekzaminim histologjik, të cilën e morën. Përgjigjja që më dhanë zyrtarisht ishte një masë kanceroze në stomak dhe ezofag. Duke besuar në përgjigje planifikova edhe ditën për t’u operuar në Qendrën Spitalore të Ushtrisë, madje të afërmit e mi dhanë gjak për ndërhyrjen që do të kryeja”, rrëfen Ylli Sinani. Sipas tij, rastësia dhe fati deshi që me këmbënguljen e familjes ndërhyrja të shtyhej për të bërë edhe një herë analizat në një qendër tjetër ekzaminimesh. “Bëra edhe një herë fibroskopi, biopsi, skaner, rezonancë, madje edhe ekzaminimin e masës që ishte marrë nga qendra. Përgjigjet e dyta pohonin se nuk ishte e vërtetë diagnoza e qendrës shëndetësore ‘Ikeda’. Pas kësaj përgjigje, në ankthin e pafund për jetën, një përgjigje negative dhe një pozitive, isha i detyruar të vazhdoja kalvarin e ekzaminimeve për jetën time. Së bashku me të afërmit e mi që më shoqërorin u nisa dhe bëra të gjitha ekzaminimet nga e para në një qendër shëndetësore në Bolonja të Italisë. Analiza të përsëritura, fibroskopi e biopsi, skaner e rezonancë, kolonoskopi e gjak dhe përgjigjja ishte se nuk jam me tumor”, tregon 51-vjeçari Ylli Sinani.

Rimbursimi i “dëmit”

Jeta nuk ka asnjë çmim. Rimbursimi i saj deri tani nuk është gjetur. Ankthi, stresi dhe mundimi janë disa fenomene të padukshme, të cilat sjellin pasoja shëndetësore, shpirtërore, financiare. Duke jetuar për tre muaj me vdekjen, Ylli tregon se nuk do të kishte asnjë mundësi rimbursimi për gjithë dhembjen, por gjithsesi ai kërkon një rimbursim financiar të paktën për shpenzimet. Në një letër zyrtare ai i ka kërkuar qendrës shëndetësore rimbursim, megjithëse ndan mendimin se i vetmi zhdëmtim do të ishte kthimi i kohës mbrapsht dhe evitimit të gabimit... ja se çfarë i kërkon ai zyrtarisht qendrës shëndetësore:

“Ky rast përbën patjetër një rast mjekimi të pakujdesshëm nga ana juaj, që ishte me pasoja të rënda për shëndetin. Me përgjigjen tuaj unë do të isha operuar. Madje druaj se mund të jetë falsifikuar dhe me pasoja ndoshta për tjetër njeri. Përgjigjja që mora nga qendra juaj shëndetësore më ka dëmtuar seriozisht, prandaj kërkoj urgjentisht që minimalisht të më dëmshpërbleni për dëmin. Besoj që nga përshkrimet kuptohet dëmi dhe vuajtja ime, por edhe e të afërmve të mi për tre muaj. Unë dhe jo vetëm, braktisëm punën dhe gjithçka, ishte jeta në udhëkryq, shpenzuam shumë, jashtë çdo mundësie financiare tonën, ishte jeta në rrezik. Shpenzova net pa fund në ankth, ishte jetë e dënuar me vdekje, ndërhyrje e analiza pa fund në stomak, të domosdoshme, që më kanë dërrmuar, ishte jeta në rrezik”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›