E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura shtetërore, grafiku i konsultave

Kandidatët për studentë, çdo ditë, tri orë konsulta. Drejtoria afishoi ndarjet sipas profileve

Nxënësit që do të marrin pjesë në provimin e parë të detyruar të maturës shtetërore, atë të letërsisë, do të kenë në dispozicion plot 24 orë konsulta për tetë ditë me radhë. çdo ditë në oraret 10:00-11:00, 11:00–12:00 si dhe 12:00-13:00, maturantët do të kenë mundësi të marrin pjesë në këto orë konsultimesh, që janë parashikuar për t’u ardhur në ndihmë të gjithë atyre që kanë paqartësi mbi lëndën. Konsultat do të zhvillohen të ndara sipas profileve që kanë përzgjedhur nxënës të ndryshëm, pra si profili natyror, ashtu edhe ai shoqëror, do të realizohen më vete. Konsultimet e parashikuara për provimin e letërsisë kanë nisur dje në të gjitha shkollat e mesme të kryeqytetit. Zhvillimi i tyre do të vijojë edhe për shtatë ditë të tjera. Konsultat do të shërbejnë jo vetëm për ata nxënës që kanë mangësi në lëndën e letërsisë, por edhe për ata që kanë rezultate të mira. Ndërsa urdhri i Ministrisë së Arsimit thekson se këto orë janë fakultative, disa nga drejtoritë e shkollave të mesme në Tiranë kanë vendosur të deklarojnë që ato të jenë orë të detyruara. Ndërkohë, dje në disa nga gjimnazet e Tiranës interesimi i nxënësve ka qenë i konsiderueshëm.

Konsultimet

Sipas sqarimit të dhënë në shkolla, edhe për të vendosur nxënësit në pozita pune, theksohet se konsultat nuk do të jenë fakultative, por të detyruara. Kjo për të gjithë maturantët që do të marrin pjesë në provimet e maturës shtetërore. Nxënësit do të zhvillojnë mësim në mjedise të veçanta. Duke filluar që nga dita e djeshme e deri më 1 qershor, datë në të cilën do të zhvillohet provimi i letërsisë, ata do të kenë mundësi të marrin njohuri të detajuara mbi programin lëndor të letërsisë shqipe dhe botërore. Nëpërmjet analizave që do t’u bëjë mësuesi veprave të ndryshme letrare, mendohet se do të ndihmojë sidomos ata nxënës që nuk e kanë përvetësuar shumë mirë lëndën gjatë vitit. Tabelat e programit lëndor janë të afishuara pranë sekretarive të gjimnazeve, për të gjithë maturantët.

Provimet dhe notat

Sipas Ministrisë së Arsimit, provimet e detyruara do të zgjasin 2 orë e 30 minuta secila, ndërsa testet e provimeve me zgjedhje vetëm 1 orë. Ndërkohë që përgjigjja e tyre do të merret vetëm dy orë pas përfundimit të secilës.

Përqindja e notave të provimeve të detyruara për shkollat e mesme profesionale dhe social-kulturore do të jetë e shpërndarë në bazë të rëndësisë që ka kjo lëndë në institucione të ndryshme.
Në shkollat profesionale, letërsia përfshin 15 për qind, ndërsa matematika 25 për qind të notës. Në shkollat social-kulturore, tezës së letërsisë i është bashkangjitur edhe lënda e gjuhës shqipe, e cila në total zë 25 për qind dhe matematika vetëm 15 për qind. Sakaq, në shkollat pedagogjike, letërsia dhe gjuha shqipe do të vlerësohen me 20 për qind të notës dhe provimi i dytë i detyruar, ai i matematikës, do të përfshijë po 20 për qind të saj.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›