E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarët e gjykatave, jo me konsensus pozitë-opozitë

Ish-kreu i KQZ-së, çlirim Gjata: Ndryshimi i Kodit për fletët e votimit, jo prapaveprues

Ish-kreu i KQZ-së, çlirim Gjata, analizon për “Shqip” debatin mbi zgjidhjen e krizës politike dhe plotësimin e vendeve vakante në gjykata.

Zoti Gjata, debati politik për hetimin e zgjedhjeve duket se po zbardh një përpjekje të re për të mundësuar hapjen e kutive me anë të ndërhyrjeve ligjore. Sipas jush, si mund të realizohet kjo?

Që në fillim do të thosha se vetë fakti që kemi një debat politik e godet që në embrion këtë problem që konsiderohet si çështje e transparencës. Përse duhet të kishte një debat politik, ose me mirë të themi pse debati të mos ishte dhe jetë institucional? Pse duhet të ndërhyjë politika në këto fenomene? Politika mundet që vetëm të iniciojë institucionet dhe janë këto të fundit që merren me problemin. Unë mendoj se më shumë se një debat parimesh demokratike është një debat burse për shitblerje aksionesh politike në elektorat. Dhe vetëm tani pas gati një viti kujtohemi se mund të rregullohet hetimi i zgjedhjeve nëpërmjet një ligji. Pra sillemi nga sillemi dhe përsëri përfundojmë te ligji që do të thotë tek institucionet. Të paktën si ide nuk është keq, sepse më në fund nuk do të kemi më protesta, por ligj. Por problemi kryesor qëndron se si do të jetë ky ligj dhe çfarë do të zgjidhë ai? Parlamenti me mazhorancë mund të bëjë shumë gjëra dhe të justifikohet nga pikëpamja formale se vendosi mazhoranca, konsensusi, por kjo s’do të thotë se mjafton. çështja është se sa kushtetuese dhe demokratike janë këto zgjidhje. T’i biem shkurt. Nëse me një ligj të ri tani, vendoset që të hapen kutitë, cilado qofshin ato, a është kjo kushtetuese? Unë mendoj se jo. Sepse ka një Kod Zgjedhor në fuqi dhe do të kishim përplasje të të dy ligjeve, nëpërmjet një veprimi të dhunshëm të Parlamentit (mazhorancës konsensuale). Ky do të ishte një precedent i rrezikshëm për të gjitha kohërat, sepse do ta paraqiste Parlamentin organ përmbi të gjitha organet me fuqi sunduese pavarësisht Kushtetutës dhe parimeve demokratike. Gjithashtu, askush s’do të ketë më garanci për asnjë të drejtë të fituar me ligj sot, sepse fare thjesht me një ligj të mëvonshëm ia heq ose ia ndryshon Parlamenti nesër. Ky është rreziku i precedentit ligjor për hatër të kompromisit politik. Gjithashtu, nëse do të përdorej varianti i dytë ai i ndryshimit të vetë Kodit Zgjedhor, përveç gjithë atyre sa thamë më sipër, vlen të përmendet argumenti se ai nuk mund të ketë fuqi prapavepruese. Ky ndryshim mund të vlejë për zgjedhjet e ardhme, por jo për ato që shkuan. Fuqia prapavepruese e një ndryshimi të tillë në Kod do ta shtonte akoma më shumë shkallën e rrezikut të precedentit antikushtetues.

A mendoni se parimi i transparencës po i nënrenditet procedurës, kur shihet se blloku ndaj kërkesave të opozitës për hapjen e kutive konsiston në interpretime juridike?

Pyetja juaj është shumë profesionale dhe pranoni ju lutem vlerësimin tim për këtë. Ajo ka të bëjë më një debat shumë të gjatë në jurisprudencë. Nëse duhet t’u nënshtrohen parimet rregullave të procedurës, ose e thënë ndryshe a mund të dëmtojë procedura zbatimin e parimeve? Kjo kërkon faqe të pafundme gazete dhe një numër të madh juristësh të përfshirë në debat. Le ta përmbledhim pak shkurt. Fillimisht duhet ndarë se ku mbaron parimi dhe ku fillon procedura, ose e kundërta. Së dyti, duhet përcaktuar nëse mund të zbatohet parimi pa procedurë. Parimet nuk zbatohen vetvetiu, as në rrugë, me forcë, kështu dua unë dhe pikë. Parimet zbatohen në institucione, janë vetëm institucionet që zbatojnë parimet konkretisht. Por institucionet nuk mund t’i zbatojnë parimet pa procedurë ligjore, sepse do të kalohej në abuzivizëm institucional. E drejta ime mbaron aty ku cenohet e drejta juaj. Vetë kjo është një parim dhe procedura nuk bën gjë tjetër veçse ruan këtë parim. Së treti, kam dëgjuar këto kohë dhe më parë, se nuk duhet të fshihemi ose të justifikohemi pas teknikaliteteve ligjore. Duhet sqaruar se çfarë kuptohet me teknikalitete. Nëse ato janë ligjore, teknikalitete apo jo, janë ligjore dhe duhen zbatuar ashtu sikurse janë në ligj. Përsëri po i kthehem precedentit. Kush do të na garantoje nesër, se ligjet nuk do të zbatohen për shkak të një kompromisi “parimor”, duke u justifikuar se përbëjnë teknikalitete të parëndësishme? Një ligj që për mua është i parëndësishëm, për ju është shumë i rëndësishëm. Atëherë si do të bëhet? Thjesht fare, duhet të zbatohet ashtu siç është. Së fundi, vetë parimi përbën vetëm një shprehje, por që zbatohet në mijëra raste konkrete, ndaj nuk mund të zbatohet i shkëputur nga procedura. Vetë parimi pra, konkretizohet në procedurë zbatuese, ndryshe si do të zbatohej pa të. Parim është edhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, por se si zhvillohen ato konkretisht e jep një procedurë e tërë e sanksionuar në Kodin Zgjedhor. Ndaj mendoj se nuk ka vend për ndarje.

Si mund të jetë i kuptueshëm arsyetimi që hapja e kutive të materialeve tolerohet, ndërsa ajo e fletëve të votimit jo?

Keni shumë të drejtë kur vini në themel të pyetjes tuaj fjalën arsyetim. është pikërisht ky i fundit që po na mungon këto kohë. Pikërisht këtë do të nënvizoja edhe unë. Nuk mund të tolerohet asnjëra përderisa ka një vendim të KQZ për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Që nga ai moment, çështja është e mbyllur. Nuk ka më hapje apo hetime të kutive. Përderisa ligji ka përcaktuar rrugën institucionale dhe procedurën se si bëhet kjo punë, atëherë nuk mund të ketë edhe një rrugë tjetër alternative, sepse do të përmbysnim të gjitha parimet e demokracisë dhe do të nxirrnim jashtë loje institucionet. Gjithsesi, si mund të hapen kutitë e materialeve dhe të hetohen ndërsa ato të votimit t’i nënshtrohen interpretimit të Gjykatës Kushtetuese nëse mund të hapen ose jo? Këtu do të kishim dy standarde. Për mendimin tim nuk mund të hapet asnjëra. E vetmja zgjidhje në këtë rast është ajo e përcaktuar në nenin 178 pika, 6 e Kodit Zgjedhor. Nuk mund të luash nga kjo zgjidhje, sepse është dispozitë ligjore. Dhe nuk mund të themi se është vetëm një teknikalitet. Po të ishte e parëndësishme pse u miratua në ligj kjo zgjidhje? Pra vetëm pasi KQZ si i vetmi institucion që mund të zbatojë këtë ligj, hap kutitë dhe djeg fletët e votimit, si dhe arkivon materialet zgjedhore, vetëm atëherë kushdo mund t’i shikojë ato materiale në arkiv. Kështu e ka sanksionuar ligji. Moment tjetër i rëndësishëm është edhe fakti se këtë hetim kurrsesi nuk mund ta realizojë Parlamenti. është një konflikt i hapur interesi, që do e bënte të pabesueshëm hetimin. Parlamenti duhet të hetojë kutitë e votimit nga të cilat ka dalë vetë. Pra i bie që një deputet të kontrollojë edhe mandatin e tij nëse e ka të ligjshëm. Dhe po qe se i del ky mandat i vjedhur kush ka besim në ndershmërinë e tij se do ta zbulojë këtë. Atëherë si u zbatuaka parimi i transparencës në këto kushte? Dhe e fundit, ndërmarrja e një veprimi të tillë nga Parlamenti do të cenonte rëndë parimin e ndarjes së pushteteve, sepse sado që të veprojnë institucionet e pushteteve të tjera mjafton që politika t’i drejtohet Parlamentit dhe vendos ky i fundit për gjithçka, pavarësisht vendimeve të tyre. Kështu do të humbitnin vlerën gjykatat dhe organet ekzekutive, por çfarë është më e rëndësishmja do të humbiste dhe siguria e qytetarëve para ligjit dhe institucioneve. Për sa i takon asistimit zyrtar edhe ky është i ligjëruar në dispozitën që cituam më lart. Asgjësimi i fletëve të votimit kryhet nën mbikëqyrjen e KQZ. Ky është institucioni i vetëm i ngarkuar me ligj për këtë punë. Dublimi institucional, nuk po e quaj paralele, është i dëmshëm dhe tipar i sistemeve të vjetra. Do të sillte përsëri rrëzimin e parimeve demokratike. Si përfundim do të thosha se e vetmja zgjidhje është ajo kushtetuese dhe ligjore e zbatueshme vetëm nga institucionet, pra zgjidhje institucionale.

Së fundmi, Parlamenti ka miratuar dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, duke rrëzuar një të tretë. Kjo procedurë ka lënë në heshtje kërkesën e opozitës për miratim konsensual. A mendoni se me këtë ndryshim në Kushtetuese, po i jepen argumente opozitës edhe rreth mosbesueshmërisë së gjykatës që mund të ishte një stacion i vlerësimit të kërkesave të saj për zgjedhjet?

Mendoj se jam jashtë teme në këtë rast, por në respekt të pyetjes suaj do t’ju përgjigjem parimisht. Procedura e zbatuar për rastin është kushtetuese, nuk mund të thuash se vjen në kundërshtim me Kushtetutën. Kur u miratua Kushtetuta në vitin 1998, nga ata që e miratuan nuk u mendua gjatë se dualizmi institucional do të sillte këto pasoja. Në atë kohë kjo u bë pikërisht për të kontrolluar presidentin e kohës, pra ishte një zgjidhje shumë pragmatiste. Mendoj se këtë kompetencë duhet ta kishte vetëm Presidenti. Megjithatë, jemi këtu ku jemi. Do të thosha se pikërisht emërime të tilla nuk duhen bërë me konsensus politik. Sepse do të kthehej në një pazar politik emërimesh nëpër gjykatat më të rëndësishme në mënyrën “më jep, të jap”. Për sa i takon asaj që ju ngrini me të drejtë, besueshmërisë institucionale dhe konkretisht Gjykatës Kushtetuese do të thosha se është krijuar tashmë një traditë profesionalizmi institucional i cili po të cenohej, do të përbënte, pak të thosha, një diskreditim për cenuesin. Për sa i takon argumentit të opozitës, mendoj se është një justifikim i papranueshëm, madje do të thosha pak naiv. Sepse një kërkesë për hapjen e kutive drejtuar Gjykatës Kushtetuese e dhënë edhe si këshillë nga faktori ndërkombëtar, mund të realizohej që nëntë muaj më parë. Kemi thënë se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar 20 ligje të Kuvendit. Atëherë besueshmëria në këtë rast është absolute. Por kjo s’do të thotë që Gjykata Kushtetuese përderisa ka rrëzuar 20 ligje ka qenë pro opozitës dhe kundër mazhorancës dhe tani do të ndodhë e kundërta. Ndaj them se ky është një argument naiv. Përse nuk iu drejtuan këtij institucioni nëntë muaj më parë? Gjithashtu, përveç Gjykatës Kushtetuese është edhe Komisioni i Venecias. Atëherë argumenti i pabesueshmërisë bie poshtë. Mendoj se opozita nuk ka dashur zgjidhjen, por krizën. Politikisht ajo i ka interesuar më shumë. Mendoj se deri më tani kemi ecur mbi teorinë e fuqisë së balenës. Për ta mbyllur duke qëndruar përsëri te transparenca do t’ju drejtoja një pyetje si gazetar. A ka qenë politika këto kohë shumë transparente dhe këtu nuk po diskutoj opozita apo mazhoranca, por politika? P.sh. në bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje deri te darka e famshme? Mendoj se jo. Pikërisht ata që kërkojnë transparencë nuk janë shumë transparente, por kërkojnë transparencë vetëm kur u intereson. Përse nuk hidhen variantet e zgjidhjes nga politika në debat të hapur publik, por “vidhen nga media” dhe ne diskutojmë në tym? Edhe kjo ia vlen të shihet.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›