E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gabon Red Bull, përfiton McLaren

Lewis Hamilton në McLaren fitoi garën për Shpërblimin e Madh të Turqisë në Formula 1 para kolegut të tij, Jenson Button pasi dyshja e ngasësve të Red Bullit, Mark Webber dhe Sebastian Vettel u përplasën mes vete dhe humbën dy pozitat e para, të shtunën në Stamboll.

Australiani Webber, i cili startoi nga pozita e parë dhe gjermani Vettel u përplasën 18 xhiro para fundit derisa ndanin dy pozitat e para. Vettel, i cili u mundua ta tejkalojë Webberin nga ana e brendshme e kthesës 12, e qëlloi bolidin e kolegut të tij dhe përfundoi garën.

Ndërsa, Webber u desh të kthehej në boks për të ndërruar pjesën e përparme të bolidit, por u kthye në pistë në pozitën e tretë, pas çiftit të McLarenit, kampionët e botës nga vitet 2008 dhe 2009, Hamilton dhe Button.

Webber kishte fituar dy ndeshjet e kaluara në Spanjë dhe Monaco, por u desh të ngushëllohet me pozitën e tretë edhe pse ky podium e mban atë para rivalëve në renditjen e përgjithshme.

Ai e përshkroi incidentin duke thënë: “Sebastian kishte përparësinë e shpejtësisë maksimale. Ai hyri nga brenda, ishim ngjitur me njëri-tjetrin, por ai shkoi shpejt në të djathtë dhe aty kemi bërë kontakt. Është mëkat për ekipin dhe nuk është dita më e mirë për ne. Mund të ndodhë nganjëherë dhe kur jeni lider, është vështirë”.

Ndërsa, Hamilton fitoren ia dedikoi babait të tij, Anthony, i cili festoi ditëlindjen e 50-të. “Ishte garë interesante. Nuk e di çka u ndodhi djelmoshave nga Red Bulli, por ne kaluam në pozitat e para dhe zhvilluan betejë të mirë me Jensonin”, tha Hamilton.

Ndërsa, Button deklaroi: “Ishte garë e mirë, më e shpejtë se që kemi menduar. Tri javë më parë askush nuk do të kishte menduar se do të luftojmë me Red Bullin në këtë mënyrë”.

Në pozitat e tjera, Michael Schumacher në Mercedes përfundoi i katërti. Kolegu i tij, Nico Rosberg ishte i pesti në një fundjavë të mirë për ekipin e Ross Brownit. Gëzimi i tyre ishte i kundërt me ekipin e Ferrarit. Felipe Massa përfundoi i shtati, ndërsa Fernando Alonso i teti, pasi startoi nga pozita e 12-të.

Rezultatet e garës:

1 Lewis Hamilton 1:28:47.620
2 Jenson Button 1:28:50.265
3 Mark Webber 1:29:11.905
4 Michael Schumacher 1:29:18.730
5 Nico Rosberg 1:29:19.886
6 Robert Kubica 1:29:20.444
7 Felipe Massa 1:29:24.255
8 Fernando Alonso 1:29:34.164

Renditja e përgjithshme:

1 Mark Webber 93 pikë
2 Jenson Button 88
3 Lewis Hamilton 84
4 Fernando Alonso 79
5 Sebastian Vettel 78
6 Robert Kubica 67
7 Felipe Massa 67
8 Nico Rosberg 66

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›