Gadafi, idhulli i ri i disa nacionalistëve serbë

Pesë vite pasi lideri i tyre, Sllobodan Millosheviç ndërroi jetë ndërsa ishte në proces gjyqësor i akuzuar për genocid, disa nacionalistë serbë e kanë gjetur idhullin e ri: kolonelin Muamer Gadafi, raporton agjencia AP.
Një grup në Facebook, që e mbështet liderin e Libisë, ka tubuar më se 66 mijë “pëlqime” deri të martën, duke reflektuar urrejtjen e thellë, që disa serbë ndjejnë ndaj Perëndimit për shkak të bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 kundër Serbisë, që e mbylli sundimin e Beogradit ndaj Kosovës.
“Agresorët e njëjtë, që na patën vrarë ne, tani pamëshirshëm e sulmojnë popullin e Libisë”, tha organizata ekstremiste Nasi, e ndërlidhur me një grup rus me të njejtin emër, që ka dorë në mbështetjen në faqen shoqërore në Internet për Muamer Gadafin.
“Ne publikuam fushatën në shenjë sfide për Perëndimin dhe mbështetjes së vërtetë për mikun”, ka thënë grupi Nasi.
Veprimtarët e fushatës kanë shpërndarë fotografi të Gadafit në Beograd dhe kanë bërë thirrje për protesta kundër bombardimit të trupave të tij nga ana e Perëndimit, raporton AP.