E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gaddafi letër ndërkombëtarëve: Rezoluta është e pavlefshme

Koloneli Muammar Gaddafi në një letër dërguar presidentit amerikan Barack Obama, atij francez Nicolas Sarkozy, kryeministrit britanik David Cameron, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon ka hedhur poshtë rezolutën e OKB-së.
“Libianët janë gati të vdesin, perëndimi do të pendohet për sulmin, dhe se fuqitë botërore nuk kanë të drejtë të përzihen në punët e brendshme të Libisë, tha zëdhënësi i Gaddafit, i cili lexoi para mediave letrën.
"Libia nuk është juaja, është e të gjithë libianëve. Rezolutat e OKB-së janë të pavlefshme" shtoi ai më tej.
Ndërkohë mbi qytetin Bengazi në lindje të Libisë të kontrolluar nga kryengritësit sipas dëshimtarëve okularë është rrëzuar një avion luftarak. Avioni luftarak kishte fluturuar shumë ulët mbi qytet. Kanali televiziv Al Xhazira njoftoi se kundërshtarët e regjimit kanë qëlluar avionin e forcave të Gaddafit.
Ndërkohë zëvendësministri i Jashtëm libian Chalid Kaim ka ftuar në vend vëzhguesit ndërkombëtarë. Përfaqësues nga Gjermania, Kina, Malta dhe Turqia mund të vëzhgojnë respektimin e armëpushimit, tha ministri.
Ndërsa Gjermania refuzoi ftesën e bërë nga Libia. “Është detyrë e Kombeve të Bashkuara që të monitorojë armëpushimin në Libi, tha një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme në Berlin. Luftime me kryengritësit janë zhvilluar në vendbanimet Al-Magrun dhe Sluk rreth 50 kilometra larg Bengazit.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›