E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siri, 4 të vdekur në manifestime

Katër manifestues janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur dje nga forcat e rendit në Siri, ku në shumë qytete janë shënuar manifestime të paprecedenta kundër presidentit Bachar al-Assad, në pushtet që prej vitit 2000.
Në Deraa, 120 kilometra në jug të kryeqytetit Damask, forcat e rendit kanë hapur zjarr me plumba të vërtetë në drejtim të manifestuesve, deklaroi për AFP-në një aktivist i të drejtave të njeriut.

“Katër persona u vranë, ndërsa ka me qindra të plagosur. Shumë prej tyre janë arrestuar nga shërbimet e sigurisë nëpër spitale dhe nuk u dihet vendndodhja”, deklaroi ai.

Përmes agjencisë së saj zyrtare “SANA”, Siria konfirmoi akte sabotazhi dhe dhune në Deraa. “Disa përfituan nga tubimet në Deraa, pranë xhamisë al-Omari, për të provokuar anarki me akte dhune, duke shkaktuar dëme materiale”, sipas “SANA”.

Vrasja e katër personave u dënua sot nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes një zëshënësi të Shtëpisë së Bardhë. “SHBA-ja dënon ashpër dhunën e ushtruar në Siri dhe i bën thirrje qeverisë siriane të lejojë zhvillimin e manifestimeve paqësore”, deklaroi zëdhënësi i Këshillit të sigurisë kombëtare, Tomi Vietor.

“Autorët e dhunës duhet të vihen para përgjegjësisë. SHBA-ja mbron të drejtat universale, si liria e shprehjes dhe e tubimit. Ne besojmë se të gjitha qeveritë, përfshi edhe atë siriane, duhet t`u përgjigjen aspiratave legjitime të popujve”, shtoi ai.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›