Gadishulli i Korese tensioni arrin kulmin
Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për përmbajtje, Koreja e Jugut nuk ka pranuar të heqë dorë nga një stërvitje ushtarake në ishullin mbi të cilin Koreja e Veriut sulmoi nëntorin e kaluar. Këto stërvitje janë cilësuar nga vendi komunist si një provokim për luftë nga fqinjët e tyre pas sulmit të nëntorit, ku humbën jetën katër koreanojugorë. Ndërkaq Kina dhe Rusia shprehën shqetësimet e tyre për tensionin gjithmonë e në rritje në gadishullin korean. Ministria e Jashtme kineze ka përshkruar situatën si jashtëzakonisht të rrezikshme dhe Rusia që ka kërkuar takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurimit, i ka bërë thirrje Koresë së Jugut për të anuluar stërvitjet. Është e paqartë se çfarë do të bëjë Këshilli i OKB-së, por burimet thonë se është e mundshme që një lloj deklarate do të lëshohet në përpjekje për të parandaluar ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm. Koreja e Jugut ka ngulur këmbë se do të ndërmarrë stërvitje ushtarake me municion të vërtetë në ishullin e Yeongpeong që u sulmua nga Koreja e Veriut muajin e kaluar, duke vrarë katër persona. Sipas një zyrtari të Ministrisë së Mbrojtjes në qoftë se e lejon moti, stërvitjet do të bëhen të hënën ose të martën. Ndërkohë Koreja e Veriut tha se këto manovra ishin përgjigje e stërvitjes së fundit ushtarake atje dhe ka kërcënuar se do të intensifikoje sulmet hakmarrëse, nëse Seuli vazhdon me planet e tij. Prej kohësh tensionet në gadishullin e Koresë i kanë vënë në gjendje alarmi ndërkombëtarët. Shpërthimi i një tjetër lufte si ajo e viteve 1950-1953, është frika më e madhe pas provokimeve të vazhdueshme të bëra nga Koreja e Veriut. Ndërkaq sipas një të dërguari jozyrtar amerikan, guvernatori Bill Richardson, situata është me të vërtetë e rëndë. “Është në gjendje krize, situatë alarmante”, tha ai që ka përsëritur thirrjen e tij ndaj koreanoveriorëve që të tregojnë përmbajtje maksimale.