Gafa e portierit ndëshkon Algjerin. Serbia bën vetëvrasje, qesh Gana
Njëzetekatër vite pritjeje, shumë, për një debutim po aq zhgënjyes. Algjeria e 18 lojtarëve nga 23 të lindur në Francë dhe të natyralizuar, ka dalë e mundur 1-0 nga sfida kundër Sllovenisë, në ndeshjen e dytë të grupit C pas barazimit 1-1 mes Anglisë dhe SHBA-së. Prandaj, për surprizë, Sllovenia merr kreun e grupit, duke përfituar nga dy episode në favor të saj, që ndodhën në mesin e pjesës së dytë: ndëshkimit me karton të kuq nga ana e Ghezzal (i sapofutur para pak minutash), dhe gafën e pabesueshme të Chaouchi në minutën e 79 në gjuajtjen jo të fortë të Kores. A thua ishte faji i Jabulanit, topit të Afrika e Jugut 2010? Pas gabimit foshnjarak të anglezit Grin ndaj SHBA-së, algjeriani Chaouchi mund të bënte edhe më keq. Numërohej minuta e 34 e pjesës së dytë: Koren, kapiteni i Sllovenisë, merr një pas në limite dhe lëshon një të djathtë jo dhe aq të rrezikshme. Numri 16 i afrikanoveriorëve hidhet në të majtën e tij si për ta grushtuar gjuajtjen, por del huq, dhe shikon topin të përfundojë në rrjetë. Dhe të mendosh se deri në ato momente nuk kishte ndodhur asgjë, përjashto ndëshkimin me karton të kuq (dy të verdhë) të Ghezzal, sulmuesin që ishte futur në fushë vetëm në minutën e 12 të pjesës së dytë. Ndërsa në takimin e dytë, Gana mund Serbinë 1-0 dhe fluturon në Grupin D, duke ngrirë perspektivën e Stankoviç me shokë. Rezultatin e vendos Asamoah Gyan nga pika e 11-shit, shtatë minuta para fundit, pas një faulli absurd me dorë të Kuzmanoviç, ndërsa serbët ishin me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Lukoviç në minutën e 74. Tri pikë të arta për skuadrën e Rajevaç, një ndëshkim i papritur për serbët, por ballkanasit janë fajtorë, pasi kanë ofruar një ndeshje të keqe. Pjesa e parë është karakterizuar nga një gjuajtje e vetme në portë, pasi Gana i kishte mbyllur mirë hapësirat dhe kishte bërë mur në mesfushë. Krasiç është në hije. Afrikanët shtyjnë përpara dhe besojnë më shumë dhe bëjnë një lojë më të mirë. Prekja me dorë e topit nga Kuzmanoviç dhe ekzekutimi i saktë i penalltisë nga Gyan, vendosin fatin e ndeshjes dhe i japin të drejtën të festojë e gjithë Afrika.
#