Goleadë gjermane për të bindur botën
Gjermania e rinovuar e Joakim Lëv, në ndeshjen debutuese të saj në Botëror, shfaqet si skuadra më bindëse mes të mëdhenjve të këtij kompeticioni, që kanë luajtur deri tani. Gjermanët kanë shkatërruar Australinë, e cila, pas një nisjeje kurajoze (mbrojtja e Gjermanisë rrezikoi të pësonte gol në minutat e para), ka qenë e detyruar të vuajë lojën e shpejtë të “djemve të tmerrshëm” të Lëvit. Gjermanët i kishin besuar qendrën e sulmit yllit të vjetër, Miroslav Klose, në Botërorin e tij të tretë, por pas tij vinte një skuadër me shumë emra të rinj, ku spikatnin Khedira dhe ëzil. Gjermanët janë kombëtare e vërtetë multietnike. Në fakt, kanë në përbërje plot 10 lojtarë me dy pasaporta. Ndonjë prej tyre ka lindur në Gjermani, ndonjë nga prindër emigrantë, të tjerët janë “natyralizuar” më pas. Trajneri Lëv, i cili ka qenë zëvendësi i Klinsmatit në Botërorin gjerman, ka menduar të zbresë në fushë: Neuer, Lahm, Mertesaker, Friedrish, Badshtuber, Kedira, Shvajnshtajger, Myler, Ozil, Podolski dhe Klose. Ndërsa trajneri i australianëve, Verbeek, çon në fushë Shvarcer, Uilkshajer, Neill, Mur, çipelfield, Breshiano, Grela, Emerton, Kahil, Culina e Kenedi. Një lojë e shkëlqyer e “National Manschafftit” në pjesën e parë. Krijojnë shumë raste për gol dhe i asgjësojnë shumë shpejt australianët. Sinjalin e parë e dha Klose me një goditje të devijuar nga portieri australian, Shvarcer. Gjermania kaloi në avantazh në minutën e 8-të falë Lukas Podolskit, që realizoi një gol të bukur me një të majtë të fuqishme, pasi kishte marrë një asist nga Myler. Gjermani-Australi 1-0 dhe ndeshja është zhbllokuar shumë shpejt. Por gjermanët nuk heqin dorë nga loja e tyre, duke mbajtur gjithnjë topin nën kontroll. Në krahun tjetër, vetëm Garcia kërkon të bëjë diçka, por i vetëm është i pafuqishëm. Ndërsa Miroslav Klose është finalizuesi i lojës së Gjermanisë. Njëzet minuta më vonë i erdhi radha Kloses, i cili, pasi kishte humbur një rast të pastër për të realizuar një gol të lehtë (23’), ka mposhtur me kokë portierin Shvarcer në minutën e 27-të, duke e çuar kështu rezultatin në 2-0. Para natës së mbrëmshme Kloses i mungonte vetëm një gol për të arritur rekordin e golave të shënuar në Botëror, i cili i përket fenomenit Ronaldo me 15 të tillë. Tani sulmuesit gjerman i mungojnë vetëm katër. ëzil ka humbur më pas edhe një mundësi të mirë për golin e tretë pas një parabole mbi portierin, por që u largua në vijën fatale nga Mur. Përveç Polskit e Kloses, që kanë shënuar dy golat e parë, duhet vlerësuar shumë edhe loja e Myler, të cilin Van Gali këtë vit e ka preferuar përpara Kloses. Edhe pjesa e dytë është e njëjtë me të parën. Dominojnë gjermanët, krijojnë shumë raste dhe realizojnë sërish dy gola të tjerë: në fillim (68’) Myler bën gjithçka vetë, lëshon një gjuajtje në stilin bilardo, që përplaset në shtyllë dhe përfundon në rrjetën e të pafajshmit Shvarcer. Më pas (70’) Kakau, i sapofutur në lojë me një asist nga Ozil dhe e ka të lehtë të shënojë. Gjermania shkatërron 4-0 Australinë në debutimin botëror në grupin D. Një fillim me thesin plot në fundin e një prove ekstremisht bindëse nga ana e formacionit të Lëv dhe jo vetëm për golat e shënuar. Provë bindëse e të gjithë interpretuesve gjermanë: lojë fluide, e shpejtë, argëtuese dhe konkrete. Me siguri që deri tani, kjo është ndeshja më e bukur e “Afrika e Jugut 2010”.
#