Gafat e Edi Ramës në Prishtinë

Në Kosovë Edi Rama bëri gafa të njëpasnjëshme. Ai foli për partneritet me Kosovën, kur bashkëpunimi mes dy vendeve ka nisur me kohë dhe në gjithë fushat, ai foli për traun e doganës, por nuk tha pse ishte kundër Rrugës së Kombit. Edi Rama tha se do të bashkohemi në Europë, por në Tiranë ai pengon integrimin, foli për unifikimin e doganave kur kjo po ndodh. Në fund, ai pranon edhe vetë se Berisha shihet prej të gjithëve, si kryeministër i të gjithë shqiptarëve
Në Kosovë, Berishën e krahasojnë me Skënderbeun, Ramën me Hamzanë
Edi Rama përdori sallën e bibliotekës së Universitetit të Prishtinës si dekor për të paraqitur nga një anë programin e PS për “ndërtimi i një partneriteti me shtetin e ri të Kosovës” dhe në anën tjetër për të sulmuar kryeministrin Berisha. Për nismat e partneritetit në arsim dhe turizëm, Edi Rama është ca i vonuar, pasi bashkëpunimi ekziston dhe është në rrugë të mbarë jo vetëm në këto dy fusha. Bashkëpunimi është përpara dhe në fushën e Mbrojtjes, Mjedisit, Ekonomisë, Drejtësisë, Transportit, Postave, etj, ku janë ngritur grupet e punës së përbashkëta në të secilën prej këtyre institucioneve. Edi Rama duhet të informohet më parë se çfarë do të thotë “partneritet” pasi këto gafa nuk mund të kalojnë si në rastin e ftesës të paradokohshme për takim me Ramush Haradinaj (që ishte ende në Hagë). Dhe sa për unifikimin e sistemin doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës këto ditë po bëhen provat e para të sistemit të unifikuar të taksave. Pra, nuk ka më nevojë publike ta propozojë Rama, i cili pak ditë më parë në Elbasan deklaroi se doganat shqiptare do të jepeshin në menaxhim kompanive të huaja. Nga të dyja, Rama duhet të zgjedhë njërën, privatizimin e doganave ose heqjen e doganave për të ndërtuar “një partneritet me shtetin e ri të Kosovës”.
Jo pa qëllim fjalia është mes thonjëzash sepse kaq gjendet në programin e “Rilindjes” së PS.
Ndërkaq Edi Rama në bibliotekën e Universitetit të Prishtinës foli për bëmat e PS për Kosovën dhe vuri në dukje negative kryeministrin Berisha. Mirëpo nuk mund të harrohet lehtë se Partia Socialiste ishte ajo që bëri një fushatë jo normale kundër ndërtimit të rrugës së Kombit.
Në fillim synoi ta njollosë me akuza korrupsioni dhe në fund deklaroi se gjoja rrugën e nisi Pandeli Majko. E vërteta është e kundërta. Ish-kryeministri Majko propozoi ndërtimin e rrugës Tiranë-Durrës-Morinë dhe për këtë krijoi të ashtuquajturën “taksa Majko” e cila në pak muaj mblodhi rreth 250 milion dollarë, të cilat nuk u përdorën kurrë për ndërtimin e rrugës së Kombit por për të mbushur gropat e buxhetit socialist që merrin borxhe nga FMN-ja edhe për të paguar pagat dhe pensionet.
Në fakt, ishte qeveria Berisha I që përkundër presioneve të qeverive fqinje që lobonin fort edhe në PS kundër këtij investimi gjigant, u realizua në një kohë rekord. Edi Rama në Prishtinë mund të tregojë historinë siç i ka qejf, por e vërteta është ndryshe. Ai flet se është për Shqipërinë Europiane, por me vepra është kundër saj. Nuk është Sali Berisha që refuzon të lejojë deputetë të votojnë 3 ligjet e marrjes së statusit të vendit Kandidat. Është kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama që pengon procesin e integrimit europian në mënyrë të paprecedentë sepse kujton se i jepte një avantazh kundërshtarit në prag të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Kalkulimet cinike të Edi Ramës nuk mund të fshihen prapa fjalëve, “ne duam të integrohemi, duam të mbështesim Kosovën gjithashtu në këtë rrugë, për liberalizimin e vizave dhe për 5 njohjet e mbetura pezull”.
Edi Rama çfarë nuk bëri kundër liberalizimit të vizave të qytetarëve shqiptare duke nxjerrë një herë Valentina Leskaj që deklaronte emigrime masive dhe në parlament Taulant Ballën dhe Gramoz Rucit për falsifikimin e letërnjoftimeve biometrike, parakusht për heqjen e vizave .
Gjithashtu Edi Rama mund të krenohet se PS-ja ka qenë gjithmonë krah Kosovës në përpjekjet për liri dhe pavarësi, por nuk mund të krenohet për trashëgiminë e themeluesve të PS që e kishin shitur një herë Kosovën me Enver Hoxhën. Partia Socialiste është parti që ka në memorien e saj viruset e Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës për çështjen kombëtare.
Sidoqoftë një tjetër gafë e Edi Ramës ishte tentativa për të ciflosur dashurinë e Kosovarëve për kryeministrin Berisha, të cilin e konsiderojnë publikisht si kryeministër të shqiptarëve.
Edi Rama duke dashur të thotë se kosovarët e kanë gabim që e shikojnë Berishën si Skëndërbeun, në të vërtetë e konfirmoi edhe vetë këtë bindje.
Të sulmosh kryeministrin Berisha në Kosovë është e barabartë me qëllimin e kryqit të kuq, është një vetëvrasje politike dhe mediatike, pasi në themel të programit të Partisë Demokratike çështja e Kosovës së lirë është simbiozë e lirisë së shqiptarëve.