E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Berisha e ktheu ushtrinë në supermarket armësh

Gazeta Shqip

Sekretari i grupit socialist, akuza Kryeministrit

Trafiqet

ballaPartia Socialiste deklaroi dje, se Kryeministri Sali Berisha i ka shndërruar Forcat e Armatosura në një supermarket që u shet armatime diktatorëve më të rrezikshëm të botës. Në një deklaratë për median, deputeti socialist, Taulant Balla, theksoi se Berisha në tetë vite qeverisje ka kryer dështime të vazhdueshme me Forcat e Armatosura. Kjo, sipas Ballës, ka ardhur për shkak të kupolës së korruptuar dhe kundër interesave shqiptare që drejton Ministrinë e Mbrojtjes. Historia e ushtrisë shqiptare në këto 8 vite është një tjetër histori rrënimi të madh. Sot ushtria shqiptare është e nëpërkëmbur në dinjitetin e saj. Sepse Forcat e Armatosura shqiptare drejtohen nga një kupolë e marrë peng prej interesave që nuk kanë lidhje me interesat kombëtare, as me interesat e publikut shqiptar dhe që shpesh bien ndesh me interesat e partneritetit të Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s, theksoi Balla, duke cilësuar si përgjegjësit kryesor për këtë situatë Kryeministrin Berisha dhe ministrin Arben Imami. Përveç të shkuarës problematike të Berishës për sa i përket thyerjes së embargos së OKB-së për të furnizuar me naftë Millosheviçin, Balla theksoi se historia është përsëritur dhe me armët. Kemi denoncuar pazaret dhe përfshirjen në trafikun ndërkombëtar të armëve. Bindjet dhe dyshimet tona u vërtetuan nga hetimi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i bërë publik ditët e fundit dhe i cili provon se në vitin 2011 autoritetet shqiptare kanë shitur armë në Libi, duke thyer embargon, theksoi Balla. Nga ana tjetër, ai theksoi se opozita është realisht e shqetësuar për sa i përket çështjes së përgjimeve të paligjshme nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes. Po kështu, ai theksoi se kësaj ministrie i përket edhe një dosje voluminoze për sa i përket korrupsionit në çështjet e pronave. Përmes një procesi tërësisht jotransparent, pa asnjë ligj, duke anashkaluar tërësisht Kuvendin e Shqipërisë, në errësirë të plotë, janë hequr nga administrimi i Ministrisë së Mbrojtjes, janë nxjerrë në privatizim, janë shitur me vlera qesharake, objekte dhe troje të divizioneve, brigadave, batalioneve, reparteve, depove të armatimit, poligoneve të qitjes, shtëpive të ushtarakëve. Plot 17 milionë metra katrorë objekte dhe troje prona të ushtrisë, të cilat Arben Imami i ka tjetërsuar dhe po i tjetërson nga pronësia e shtetit dhe e qytetarëve në drejtim të disa privatëve, klientë të partisë familjare, akuzoi Balla. Ai theksoi se PS-ja ishte e angazhuar për ta ndryshuar situatën në këtë dikaster të rëndësishëm, menjëherë sapo të marrë pushtetin.

Balla: Berisha e ktheu ushtrinë në supermarket armësh burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›