E Diel, 1 Nëntor 2026

Galeria Kombëtare me fytyrë të re Rubenc Shima: Moment historik për artin shqiptar

120 vjet art i pikturës dhe skulpturës shqiptare prezantohet në linjën e re muzeale 
Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë ka ngritur linjën e re muzeale, ku në gjashtë  mjedise të përshtatura për funksionimin e muzeut historik të artit janë ekspozuar vepra artistike në pikturë dhe skulpturë, nga fundi i shekullit të XIX deri në fund të shekullit XX. Për herë të parë, pas ndryshimit politik të vitit 1991, Galeria Kombëtare e Arteve merr përsipër të ekspozojë një linjë historike të artit shqiptar. Kjo linjë përfshin një periudhë prej gati 120, vjetësh duke filluar nga viti 1883, vit që mban tabloja Motra Tone e Kolë Idromenos dhe që shkon deri në fillim të viteve 2000, duke treguar rrugën që kanë përshkruar artet pamore në Shqipëri për të mbërritur në fillim të shekullit XXI.  . Drejtori i GKA-së dhe kurator i këtij muzeu, Rubens Shima, u shpreh dje në një konferencë për median se hapja e kësaj linje muzeale është një prej momenteve më të rëndësishme të këtij institucioni të arteve pamore në vendi tonë. Ky është një moment historik për Shqipërinë, pasi për herë të parë pas viteve 1991, Galeria Kombëtare e Arteve merr përsipër të ekspozojë linjën historike të artit shqiptar. Ky muze do të shërbejë për vizitorët dhe si një qasje didaktike, ku secili do të kuptojë momente të ndryshme të historisë sonë, theksoi drejtori i këtij institucioni Shima. Ndërkohë që pas kësaj lind dhe problemi i hapësirave ekspozuese të artit shqiptar, duke qene se Galeria Kombëtare nuk do ta kryeje më këtë funksion. Në rast se nuk ka sistem duhet të gjithë bashkë të bëjmë presion mbi ata që kanë mundësi financiare, mbi ata që kanë dorë në vendimmarrje për të zgjeruar hapësirat publike në qytet, u shpreh Shima. Më tej ai theksoi se e veçanta e kësaj linje ekspozuese është fakti se ajo vjen si strukturë e re historike për artin shqiptar dhe nuk bazohet më tek formula e vjetër Rilindje-Realizëm Socialist -Arti pas viteve 90, por ngrihet mbi një koncept të ri.Veprat janë përzgjedhur në bazë të vlerës që transmetojnë, e që lidhet me informacionin e kohës dhe periudhës në të cilën janë krijuar. Koleksioni jo shumë i madh i periudhës së parë, titulluar "Piktura e qyteteve", flet shumë për Shqipërinë e fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX dhe kjo periudhë është datëlindja e pikturës shqiptare. Projekti i rinovimit është mbështetur nga Fondacioni për Arteve Pamore pa Kufi, MTKRS si dhe sponsorë të ndryshëm. Gjashtë seksionet që janë të ndara në këtë linjë muzeale, përcjellin në mënyrë të strukturuar historinë e artit shqiptar, ndërsa për realizimin e tyre në muzeun historik të artit është shqyrtuar e gjithë lënda që dispononte fondi i GKA-së ndër vite.

Seksioni i parë: Fillesat e pikturës në qytetet shqiptare
Përmbledh artifaktet e para të pikturës dhe skulpturës shqiptare, duke ndarë në dysh periudhën e ashtuquajtur Art i Rilindjes dhe i Pavarësisë dhe duke grupuar autorë
dhe vepra që shënojnë fillimet e një pikture laike në vend.
Seksioni i dytë: Piktura Realiste dhe Shkolla e Vizatimit (1930-1950)
Përmbledh veprat dhe autorët e parë të shkolluar në shkollat e artit të vendeve fqinjë, por edhe evidenton një moment historik si ai i hapjes së shkollës së artit në Tiranë në vitin 1931.
Seksioni i tretë: Piktura/skulptura akademike dhe tabloja me temë historike (1950-1986)
Përpiqet të depërtojë në natyrën e një arti të kompletuar në arritje teknike, që vihet në funksion të politikës dhe pushtetit, duke prodhuar edhe tablonë historike tipike që shoqëron periudhën e Realizmit Socialist. Ky seksion përpiqet të bëjë një kalim të zbutur nga piktura realiste e trashëguar prej viteve 40, drejt pikturës së Realizmit Socialist që fillon në vitet 60 për të vazhduar deri në fund të viteve 80.
Seksioni i katërt:Realizmi Socialist, Ndërtimi i Modeleve të Njeriut të Ri (1960-1986)
Është seksioni vijues i cili përqendrohet qëllimisht në aspektin më thelbësor të këtij arti, atë të ndërtimit të njeriut të ri dhe të përçimit të propagandës socialiste. Për herë të parë, Galeria Kombëtare i kushton një hapësirë të tërë të ashtuquajturës piktura formaliste e viteve 70,
Seksionin e pestë: Piktura Formaliste e Realizmit Socialist (1969-1974)
Përpiqet të hedhë dritë dhe të sjellë me detaje një aspekt të rëndësishëm në kulturën tonë si ai i quajtur liberalizëm i viteve 70, që reflektoi edhe zhvillimet në artin pamor.
Seksioni i gjashtë: Piktura dhe skulptura moderniste (1989-2001)
 Bashkë me nëntemën Elementë të pikturës moderniste në vitet 1960-70, përpiqet të dokumentojë ndryshimet në artin shqiptar, që vijnë bashkë me rënien e socializmit, për të ardhur drejt një pikture moderniste, që zhvillohet gjatë dhjetëvjeçarit 1990-2000. Ky seksion kërkon në të njëjtën kohë edhe elementët modernistë, që depërtuan në artin tonë gjatë viteve 60 - 70, duke krijuar për herë të parë në Historinë e Galerisë Kombëtare një hapësirë kushtuar këtyre elementëve minorë, por tepër të rëndësishëm për nga përmbajtja, që u sfumuan krejtësisht brenda kornizës së madhe të realizmit socialist.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›